Apeli i GJKKO merr vendimin për ankimin e Evis Berberit dhe dy biznesmenëve
Apeli i GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest në burg për Evis Berberin, ish kreun e ARRSH dhe dy biznesmenët, Valter Begaj, dhe Ervis Lami, duke mos pranuar kështu ankimin për lehtësim të masës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi më 29 mars sekuestrimin e pasurive të Evis Berberi, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrëdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij.
Sipas SPAK, Berberi në cilësinë e kreut të dy institucioneve shtetërore, ka kërkuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash nga një shoqëri e cila ka qenë fituese e tenderave në këto ente publike. Për të mundësuar marrjen e rryshfetit ka përdorur një mënyrë të tërthortë, ku shoqëria fituese e tenderave të institucioneve që ai drejtonte, i transferonte paratë në një shoqëri tjetër të kontrolluar prej tij.
Së bashku me Berberin u vendosën në pranga dy javë më parë edhe Valter Begaj, pronari komanisë që përfitonte tenderat dhe njëkohësisht ortak i shoqërisë së zotëruar indirekt nga ana e Berberit, si dhe Ervis Lame, administratori i shoqërisë së Berberit dhe punonjës në shoqërinë e Begajt.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 25.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.B., E.L., V.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.