Apeli i mjekut Pëllumb Pipero: Mos dilni sot, nesër do jetë vonë!
I ftuar në emisionin “Arena” nga Dritan Hila, në RTV ORA, mjeku Pëllumb Pipero, ka thënë se masat e marra nga qeveria janë në kohën e duhur, por jo ekstreme.
Ai ka apeluar që qytetarët të mos dalin jashtë, sepse nesër mund të jetë vonë.
Pipero: Situata në Shqipëri, edhe pse në fillimet e saj është shumë serioze. Shumë serioze, jo nga numrat, por nga problematika, pra problemet fillojnë nga një mosndërgjegjësim i qytetarëve në atë që po ndodh rreth nesh, në atë që po ndodh në Itali, për atë që ndodhi në Kinë. Qytetarët ende nuk janë ndërgjegjësuar se janë disa rregulla që duhet të zbatojnë, duhet të zbatojnë vendimet e qeverisë, këshillat që jepen. Është shumë e rëndësishme të lëvizin sa më pak, të kontaktojnë njerëz sa më pak, mundësisht aspak.
Masat e qeverisë janë të mira, janë drastike, por për mua jo ekstreme. Po të vazhdojnë qytetarët me këtë ritëm të mosndërgjegjësimit, mund të ketë nevojë për masa ekstreme, dhe ekstreme do të thotë të mbyllesh me urdhër në shtëpi, të dalin personat një herë në tre ditë, apo një herë në javë që të marrin ushqime dhe ujë. Ende nuk jemi në këtë fazë, nuk do ta doja, por ecuria e epidemisë do na tregojë, duhet apo jo.
Ajo që do të thoja, është se masat janë marrë në kohë, shumë më herët sesa i ka marrë Italia. Ne natyrisht parlajmëruam që të mos bëjmë gabimet e Italisë, dhe fjala e specialistëve ka rënë në veshin e autoriteteve dhe janë marrë masat e duhura dhe besoj fort që këto masa do të japin rezultat, por jo herët, më vonë. Italia gaboi, qytetarët gabuan, vazhdojnë të gabojnë, dhe po e paguajnë shtrenjtë.
Për shembull, Wuhani u mbyll me datë 23 studimet thonë se po të ishte mbyllur me datë 22, do të kishte 40% më pak të infektuar, dhe shumë më pak viktima, po them që këto masa janë asgjë që u morën në Kinë dhe në Itali. Do të këshilloja, të gjithë qytetarët, është shumë e rëndësishme, që sot, që tani të mos dalin nga shtëpia, nesër është vonë.