Aplikacioni Matrix, Karamuço: Përdoret nga vr@sësit me pagesë, përfshirë dhe shqiptarë
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço flet për thyerjen e rrjetit të komunikimit Matrix. Për të Matrix ishte një shërbim i krijuar nga personazhe të krimit dhe për herë të parë u zbulua nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021. Karamuço tha se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë u përgjuan dhe u deshifruan gjatë hetimit. Ai tha se ky aplikacion është përdorur dhe nga ana e grupeve kriminale shqiptare, si nga vrasës me pagesë që e kanë deklaruar vetë jo vetëm në SPAK por edhe në prokuroritë e tjera.
”Vrasësit me pagesë e përdornin shumë sepse aty bisedonin të gjitha teknikalitetet, se si duhej të bëhej ekzekutimi, mënyrat e vrasjes, pikat e takimit dhe çdo element dhe detaj mbi porosinë e vrasjes. Sigurisht do duhet kohë që të ndahen folderat për shtetet përkatëse. Nga thyerja e ”Matrix” do të zbulohen mesazhe që lidhen me krime të rënda, si trafiku ndërkombëtar i drogës, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave”,-tha në ”Euronews Albania”.
Për tre muaj, autoritetet ishin në gjendje të monitoronin mesazhet e mundshme të kriminelëve, të cilat tani do të përdoren për të mbështetur hetime të tjera. Infrastruktura për të ekzekutuar MATRIX përbëhej nga më shumë se 40 serverë në disa vende me serverë të rëndësishëm që gjenden në Francë dhe Gjermani, sipas Europolit.