Aplikimi për kreditë e buta nis në 15 shkurt. Zbardhen kriteret e reja për pikëzimin

Në datën 15 shkurt të këtij viti do të nisin aplikimet për 1000 banesa me kredi të butë që do të jepen nga Bashkia e Tiranës për qytetarët, që nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi sipas normave të tregut. Qytetarët në hapjen e kësaj thirrjeje të tretë të programit, do të kenë mundësi të zgjedhin mes 3 bankave. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, është miratuar vendimi për programi e subvencionimit të interesave të kredive, ku kryebashkiaku Erion Veliaj bëri me dije se cilat do të jenë kriteret favorizuese për të interesuarit.

Ndërkohë “Gazeta shqiptare” zbardh sot vendimin e këshillit bashkiak si dhe kriteret e pikëzimit ku përfshihen kushtet familjare, sociale, ekonomike dhe kushtet e strehimit. “Projekti më i rëndësishëm besoj për sot ka të bëjë me hapjen e aplikimeve për sa u përket kredive të buta. Do të vazhdojmë edhe këtë vit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Entin e Banesave, që ne të hapim aplikimet. Sot (dje) është data 5, duhen 10 ditë që të zbardhet vendimi, kështu që në datën 15 ne zyrtarisht do të fillojmë të marrim aplikimet për 1000 familje të reja në Tiranë. Qeveria e Shqipërisë dhe ministria ka përcaktuar 3 banka: ‘Raiffeisen’, ‘BKT’ dhe ‘Intesa Sanpaolo’. Si tri bankat që mund të procesojnë apelimet, pra qytetarët do të mund të zgjedhin secilën prej bankave. Siç e dini, këstet janë fikse, ndërkohë që bashkia dhe qeveria do të paguajnë dhe do të amortizojnë normat e interesit, duke u dhënë garanci çifteve të reja sidomos. Të rinj deri në 35 vjeç. Pra ku shuma e të dy anëtarëve të familjes nuk e kalon moshën ose nuk e kalon shumën 70 vjeç. Individë familjeje të minoritetit rom dhe egjiptian, që duam t’i fuqizojmë ose gra që janë kryefamiljare apo gra që janë dhunuar dhe kanë një urdhër mbrojtjeje dhe qoftë edhe për këtë situatë sociale, kërkojnë të kenë një shtëpi më vete, sigurisht që marrin pikë më të avantazhuara dhe besoj që të gjitha detajet i keni në relacion. Besoj që do jetë një vit i mbarë, jo vetëm për të kujtuar 100-vjetorin e Tiranës, por edhe për të futur 1000 familje të reja në shtëpi të reja në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

SHKARKO APP