Apollon Baçe: Janullatos greqizoi kishat e ndërtuar pas ’90-ës (FOTO)

Ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe ka hedhur akuza të rënda ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe ndaj kryepeshkopit Anastas Janullatos lidhur me kishën e shkatërruar të Dhërmiut.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel one” të gazetarit Roland Qafoku në një panel në të cilin ishin edhe përfaqësues të kësaj kishe, Baçe deklaroi se është kundër shkatërrimit të kishës në fjalë, por sipas tij është e pafalshme që Kisha Ortodoske Autoqefale e la atë kishë në atë gjendje, ndërkohë bën namin kur kryeministri e quan me të drejtë garazh.

“Është fakt që pas vitit 1990, është bërë më mënyrë masive greqizimi i kishave shqiptare. Në vend që të restauroheshin dhjetra kisha me vlera të jashtëzakonshme monumentale ata kanë ndërtuar kisha të reja të stilit ortodoks grek që nuk kanë lidhje me ndërtimin dhe trashëgiminë e kishës shqiptare“ thotë ai.

Raste të tilla janë në Dhërmi, Voskopojë, Berat e të tjerë që sipas Baçes ka qenë e domosdoshme restaurimi i kishave të vjetra, por Kisha Ortodokse Shqiptare ndërtoi kisha dhe katedrale të reja duke harxhuar miliona euro dhe asnjë euro për restaurimin e kishave të vlera me vlera unikale.

Gjatë emisionit Baçe bëri publik një raport-studim për gjendjen e kishave ortodokse në të gjithë vendin por u ndal më shumë në ato të Dhërmiut.

Në monitor u shfaqën pamje të gjendjes skandaloze që ndodhen shumica e kishave në Dhërmi, ndërkohë që ortodoksët, sipas Baçes, nuk kanë dhënë asnjë kontribut për restaurimin e tyre. Sipas tij të vetmin kontribut pas vitit 1990 është ndërtimi në mënyrë masive i shumë kishave, të gjitha në stilin grek duke humbur identitetin dhe stilin e kishës Autoqefale Ortodoske Shqiptare.

SHKARKO APP