Arben Frroku iku me leje të policisë?

 
Nga verifikimet e bëra menjëherë pas dënimit të tij, rezulton se Frroku është larguar nga Shqipëria pa u regjistruar fare në kufi nga sistemi TIMS. Sipas këtij sistemi, Arben Frroku ndodhet në Shqipëri, ndërkohë që ai më 19 qershor u ndalua për 5 orë në kufirin malazezo- kroat dhe më pas u la i lirë, pas verifikimit se nuk ishte i dënuar apo person në kërkim. Mirëpo, pavarësisht faktit se ai ishte i pafajshëm me vendim të gjykatës së shkallës së parë dhe për rrjedhojë i lirë të lëvizte, policia shqiptare është e detyruar si për çdo qytetar të regjistronte edhe daljen e Frrokut nga Shqipëria. Kjo nuk ka ndodhur. Frroku ka qenë me makinë dhe kalimi i tij nhuk besohet se është bërë nga mali apo liqeni me not, por nga pika shtetërore e kalimit të kufirit. Dyshimet për mosregjistrimin e tij janë të shumta, por fakt është se ai ka dashur të largohet pa rënë në sy, pa lënë gjurmë, për të mos u bërë lajm përpara vendimit të Apelit. Dhe do t'ia kishte dalë po të mos ndalohej përkohësisht në Mal të Zi.
Kjo ikje e tij, sigurisht që vë në pikëpyetje lidhjet e dyshimta me zyrtarë të lartë të policisë. Opozita deklaroi se para largimit, Arben Frroku kishte marrë pjesë në fushatën e së majtës në Pukë dhe ishte takuar për një orë me kryeministrin Edi Rama në një lokal në qendër të Pukës. Sipas PD, Froku është larguar me dijeninë e kryeministrit për t'i shpëtuar arrestimit pas vendimit që pritej të jepte Apeli.
Por dyshimet me të rënda janë mbi përdorimin e sistemit të drejtësisë, për pazare apo interesa, ku njëra shkallë e gjykatës e liron vrasësin e një komisari policie dhe tjetra e dënon pasi ka ikur nga Shqipëria. Dyshime të forta rëndojnë mbi gjyqtarët e mësipërm, të cilët me një guxim të çmendur kanë shpërfillur fakte dhe dëshmi, vetëm e vetëm për t'i dhënë pafajësi Frrokut. Nëse rasti rasti i tyre nuk analizohet dhe nuk bëhet shembull, dyshimet bien edhe mbi KLD.
Ky rast është një shembull si si ka degraduar shteti shqiptar edhe po të kihet parasysh se vëllai i Arbenit, Mark Frroku është kryetar i një partie politike, deri dje pjesë e koalicionit qeveritar, dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, deri dje pjesë e grupit parlamentar të PS. Mark Frroku, me imunitet deputeti nuk u ndalua nga policia ndërsa kishte në makinën e tij një të kërkuar për trafik droge. Ai akuzohej për një vrasje në Belgjikë ndërkohë që votonte ligje në parlament. Kërkesa për ndalimin e tij u mbajt në zyrat e Interpolit në Tiranë dhe drejtori i përgjithshëm i policisë dha dorëheqjen për këtë fakt. 
Një zinxhir i pashembullt se deri ku ka mbërritur krimi në Shqipëri, një zinxhir që i lidh këmbë e duar, gjykatat, qeverinë, policinë, politikën dhe parlamentin.

SHKARKO APP