Arben Malaj: Blushi na braktisi dhe më pas na përsekutoi Edi Rama

 

Nuk ka pritur shumë dhe ka hedhur poshtë çka thënë Fevziu për raportet e Ramës me Blushin. Ish-­deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-­ministri i Financave Arben Malaj ka reaguar në FB pas një shkrimi të Blendi Fevziut lidhur me Lëvizjen për Mendim Ndryshe ku bënte pjesë edhe deputeti Ben Blushi.

Nisur nga shkrimi i gazetarit Blendi Fevziu, ku siç thotë Malaj, ka të pavërteta, ish-­deputeti socialist pohon se anëtarët e kësaj lëvizjeje janë persekutuar nga drejtuesit aktualë. Malaj thotë se “Fatkeqësisht, por është e vërtetë, që ky ‘persekutim’ nisi që në kohën kur miqësia Blushi­Rama lulëzoi, ndoshta edhe nga braktisja e LMN-së”.

 

Komenti i Arben Malaj:

Sot është një ditë e bukur dhe besoj nuk i prishet bukuria nga këto analiza dhe komente, por analiza e Fevziut lidhur me LMN­-në ka shumë të pavërteta dhe shumë “deformime”. Koha vërtetoi se LMN ishte një inspirim pozitiv për njerëzit e mrekullueshëm të vendit tonë dhe jo një aritmetikë personale e askujt prej kolegëve. Në mirënjohje të të gjithë kolegëve që e inspiruan dhe mbështetën LMN-në, kam detyrim të qartësoj nëpërmjet një artikulli, jo vetëm për saktësi historike – standard që Fevziu përbetohet se nuk e shkel asnjëherë, disa prej të pavërtetave dhe deformimeve. Koha është aleati dhe gjykatësi më i mirë lidhur me motivet e angazhimeve dhe kontributeve publike dhe politike të individëve dhe forcave politike. Pas 20 vitesh angazhim politik ndjej detyrim edhe ndaj historianëve të shkencave politike, por sidomos ndaj mbështetësve të LMN-­së në çdo nivel, të cilët u “persekutuan” edhe në kohë të “demokracisë” për këtë angazhim fisnik. Fatkeqësisht, por është e vërtetë, që ky “persekutim” nisi që në kohën kur miqësia Blush-iRama lulëzoi, ndoshta edhe nga braktisja e LMN-së. Persekutimi arriti deri aty sa djali i një ish-kolegut tonë, student i talentuar dhe i diplomuar në një universitet perëndimor, u hoq nga puna sapo socialistët erdhën në pushtet, sepse babai i tij u shpall armik i drejtuesve aktualë të PS-­së. E trishtueshme deri në neveri – kjo sjellje, e cila shfaqet shpesh në politikën tonë edhe pas 25 viteve. Ky nuk është një rast i vetëm. Ku dallon këtu persekutimi sot nga ai i viteve të komunizmit?! Pse dëshpërohen disa nga “udhëheqësit” majtas apo djathtas kur analistë vendës dhe të huaj i cilësojnë se kanë mentalitete diktatoriale?! Faktet janë kokëforta – fjalët shpesh prodhojnë demagogji. Personalisht përzgjodha që midis një karrigeje partiake dhe lirisë, t’u përkushtohesha angazhimeve jopartiake. Prandaj nuk vetëpërfshihem në të persekutuarit e aleancave parazgjedhore në PS. Por, braktisja e shumë kolegëve të mirarsimuar, të përkushtuar, me integritet të lartë njerëzor dhe profesional, solidariteti qoftë edhe në heshtje me persekutimin e tyre, të cilët nuk u angazhuan në PS për asnjë interes të vogël, është një njollë/mëkat që na ndjek nga pas. Kjo nuk është një pengesë e përhershme për asnjë koleg që të inspirojë, të organizojë dhe të udhëheqë lëvizje të reja edhe politike, të cilat mund të jenë për individë të caktuar, një mundësi shumë e mirë për të korrigjuar edhe gabime të së shkuarës. Ne duhet të respektojmë çdo individ, që në çdo kohë reflekton për atë që duhet të bëjë më mirë për sfidat ekonomike, sociale dhe politike të vendit të tij. Askush prej tyre majtas apo djathtas nuk duhet penguar, askush prej tyre nuk duhet cilësuar armik, ndaj askujt prej tyre nuk duhet të përdoret asnjë qindarkë para private apo publike për t’i penguar apo për t’i “vrarë” politikisht.

Konkurrenca politike është shumë më e domosdoshme dhe e shëndetshme për demokracitë e reja. Institucionet e forta janë më të dobishme se individët e fortë. Në teoritë e zhvillimit, institucionet e forta nuk nënkuptojnë ndërtesa, por: lirinë e fjalës, lirinë e pronës, lirinë nga korrupsioni, lirinë nga kapja e shtetit, lirinë nga pengesat për barazi të mundësive për mirarsimim dhe shëndet, liri nga procedurat e gjata dhe kostot e rënda për të bërë biznes, liri për ta ndërtuar dhe shijuar jetën tënde si produkt të punës dhe aftësisë individuale, por në një shoqëri që krijon kohezion dhe solidaritet social.

 

Ja c’ka ndodhur mes Edi Rames dhe Ben Blushit!

Nga Blendi Fevziu –

Ishin miq! Pastaj u përplasën publikisht. Bashkëpunuan dhe u përplasën sërish! Histori e vështirë kjo mes Ben Blushit dhe Edi Ramës. Një histori që reflekton gjithë dilemat dhe pasigurinë e vetë Selisë Rozë.

Raporti mes dy njerëzve më të rëndësishëm të Partisë Socialiste nis në fillim të viteve ’90 – të. Rama pedagog i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve dhe Ben Blushi i sapo diplomuar në letërsi, ata u grumbulluan fillimisht rreth gazetës Koha Jonë dhe më pas rreth fondacionit Soros në Tiranë. Nuk dihet se kur dhe si janë prezantuar ata të dy në Tiranën e rrëmujshme të 1991 – 1992, por dihet se lidhja mes të dyve u bë më e fortë pas ardhjes së PS në qeveri në vitin 1997. Në vjeshtën e atij viti Ben Blushi, në atë kohë zëdhënës I Kryeministrit, ndërmjetësoi një takim në Hotel “Maurice” në Paris mes Kryeministrit Nano dhe Edi Ramës që ishte emigrant në Francë. Takimi u pasua nga një fjalë përshëndetëse e Nanos në 7 vjetorin e Reflesioneve, në Dhjetor 1997, shoqëruar me elozhet e Ramës për të si dhe një darkë e papritur në Restorant Piazza. Produkt i të dyjave ishte thirrja e Ramës si anëtar Kabineti në Prill 1998, në postin e Ministrit të Kulturës. Blushi ishte kumbari i dashurisë së re Nano – Rama. Një dashuri që gjithsesi nuk do zgjaste më shumë se disa muaj.

Blushi ndoqi po ashtu një rrugë politike. Ai u zgjodh deputet më 2001 dhe Ministër i Arsimit po atë vit. Midis tyre u vendos një aleancë e dukshme. Raporti qe aq bashkëpunues dhe aq i fortë, sa Ben Blushi ishte i vetmi anëtar i qeverisë që mbështeti kandidaturën e Ramës për kryetar i PS në kongresin e Dhjetorit 2003. Kanditaturë që ishte përballë asaj të Kryeministrit Nano. Nuk ka asnjë dyshim që tej preferencës së Ramës ndaj shefit direkt të tij, Kryeministrit, Blushi kreu edhe një gjest mjaft domethënës politik. Ndryshe nga shumica e Ministrave që ndiqnin humorin e Kryeministrit, ai u konfirmua si një figurë partiake. E asaj stature që luante përtej interest të momentit si ministër dhe që shihte edhe anën e përtejme, atë të selisë rozë. Por padyshim, ky gjest duhet komentuar edhe me tolerancën emblematike të Nanos që nuk do të përsëritej më në PS.

Bashkëpunimi u bë më dominues në vjeshtën e vitit 2005, kur Blushi u angazhua fort për ardhjen e Ramës në krye të PS. Bashkëpunim që nisi ende pa mbaruar numërimi i votive të 3 korrikut. Mbasditen e herët të datës 4 Korrik, kur Edi Rama i veshur me pantallona të verdha, mbërriti në selinë e PS me një propozim konkret për Gramoz Ruçin dhe Ben Blushin. T’i mbyllnin Nanos derën e PS me premtimin që si lideri i ri i asaj selie, ai t’i sillte në pushtet. Sipas të gjitha informacioneve mes Blushit dhe Ramës ka pasur atë mbrëmje një bisedë të gjatë. Një bisedë për të cilën nuk është shprehur më pas asnjë nga ata. Thelbi i saj mund të merret me mend. Pak muaj më pas Rama erdhi në krye të PS në vendin e lënë bosh nga Fatos Nano në respekt të një deklarate të bërë në emisionin Opinion më 10 Shkurt 2005 dhe të një standarti që Edi Rama e kishte propozuar në kongresin e majit të atij viti: “Kush humbet zgjedhjet, largohet nga drejtimi I partisë”!

Në dy vitet e para të Ramës raporti i tyre qe mjaft intensiv dhe kulmoi me emërimin e Blushit si Kryetar i Grupit Parlamentar të PS në Prill 2007. Por ai qëndroi në këtë detyrë vetëm pak muaj. Si pasojë e keqmenaxhimit të zgjedhjes së Presidentit në Korrik 2007 dhe mbështetjes së 6 deputetëve të PS për Bamir Topin, Blushi dha dorëheqjen. Në fakt raportet e tij me Ramën vijuan mjaft të mira deri në korrik 2009. Pas humbjes në zgjedhje dhe kontestimit të Ramës që pretendonte se votat qenë vjedhur, Blushi deklaroi se PS i kish humbur këto zgjedhje dhe i kërkoi Ramës që të njihte përgjegjësinë e tij. Debati mes tyre mund të përmblidhet në dy fjalë: Rama deklaronte se humbja e tij e kish thelbin e saj në kutitë, ndërsa Blushi besonte dhe deklaronte se ajo gjendej jashtë tyre, madje tek Rama vetë.

Raportet e të dyve u tensionuan mjaft në verën e 2009 dhe Blushi kontestoi edhe rizgjedhjen e Ramës në krye të PS. Por nuk konkuroi vetë për Kryetar. Në këtë kohë, së bashku me 6 deputetë të tjerë Blushi krijoi Lëvizjen për mendimin Ndryshe. LMN funksionoi disa kohë, ajo e kontestoi PS në bazën dhe thelbin e saj, i solli mjaft probleme Ramës, por pushoi, pa ndonjë shpjegim të qartë. Nuk ka asnjë dyshim që rolin kryesor këtu e luajti Blushi që u tërhoq në momentin e një vendimi me mjaft përgjegjësi: A qenë ata 6 deputetë të gatshëm të krijonin një formacion tjetër politik në atë moment që Rama i mbylli shtigjet dhe ata s’mund të vijonin më tej brenda PS? Nuk dihet se ç‘ka lëvizur tjetër, por një bilanc mund të bëhet këtë moment. LMN ndikoi mjaft për të kthyer një seri vendimesh absurde që do ta kishin rrënuar krejt të ardhmen e PS, bojkotin e parlamentit dhe strategjinë e dhunës. Dy gjëra që Blushi vijoi t’i mbrojë ende, siç është në rastin e dytë qëndrimi që ai ka mbajtur kundër grevës së urisë së majit 2010 dhe për 21 Janarin.

Rreth vitit 2012, kontestimet publike të Blushit ndaj Ramës u redaktuan, dhe ky i fundit, filloi ta përmendë emrin e Blushit sërish si një vlerë në PS.

Përpara zgjedhjeve të 2013, Rama dhe Blushi u panë disa herë bashkë, në takime të gjata, që vijonin edhe disa orë. Më shumë se takime shkrimtarësh që sapo kishin publikuar librat e tyre, ato ngjanë takime mediatike, për të dhënë sinjalin e një raporti të ri. Nuk dihet nëse mes tyre ka pasur sërish një marrëveshje, apo një pakt, por dihet se Rama dhe Blushi qenë rikthyer në një komunikim të ri. Të ndryshëm nga ai i 2009, por padyshim, larg atij të vitit 2005. Edhe pse Blushi, vijon të jetë sot, i vetmi zë në PS që shpreh mendime të ndryshme nga ato të Ramës e madje edhe artikulon teza politike që prodhojnë debat në publik. Dhe absolutisht i vetmi që në disa qëndrime rresht ka qenë kritik ndaj vetë politikës së PS.

Raporti Blushi – Rama u duk sikur u tensionua pas zgjedhjeve të 2013 dhe caktimit të Qeverisë, Qeveri ku Blushi nuk bënte pjesë. Por Opinion.al ka pasur informacione që raporti Blushi – Rama ishte prishur më herët, që në Maj 2013 gjatë fushatës kur Blushi drejtonte qarkun e Elbasanit. Shkaku i prishjes nuk dihet, por dihet se që atëherë, kontaktet dhe marrëdhënia mes tyre ka qenë shumë sporadike. Blushi ka qenë ndër pritikët kryesorë të qeverisë, me një kritikë të strukturuar. Herë herë ai ka marrë edhe përgjigjë të tërthorta të Ramës. Por ky i fundit, i pyetur në Opinion për një koment më konkret është përgjigjur se ai nuk komenton, komentatorët. Tentativa për një bisedë mes tyre thuajse një vit më parë gjatë një darke në Pezë po ashtu dështoi. Blushi nuk u përfshi në zgjedhjet lokale dhe sot, mbetet zëri më i drejtëpërdrejtë dhe më kritik i Qeverisë brenda mazhorancës.

A mund të vijojë Blushi të qëndrojë në PS apo do tentojë të krijojë një grupim të tijin politik? A do të presë ai me durim dështimin e Ramës për t’ju dhënë formë kritikave të vazhdueshme apo do tentojë ta shpejtojë këtë rrëzim duke u angazhuar edhe vetë politikisht? Vështirë t’ju japësh përgjigje gjithë këtyre pyetjeve, nga të cilat varet jo pak edhe suksesi i vetë PS në zgjedhjet e 2017. Ose së paku është vështirë t’i japësh një përgjigje,

SHKARKO APP