Arben Malaj tregon arsyet: Pse nuk do të jem pjesë e listave për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit
Eksperti i ekonomisë dhe i financave, Arben Malaj ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e listave për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një letre të bërë publike, ai sqaron se pse nuk do të garojë në këto zgjedhje, ndërsa shton se të japësh kontribut për vendin nuk do të thotë që me patjetër duhet të jesh ministër apo deputet.
Malaj ka falënderuar votuesit dhe mbështetësit e tij dhe në mënyrë të veçantë qytetarët vlonjatë, të cilët i ka përfaqësuar për 16 vite në parlament dhe 5 vite në qeveri ( 1997-2013). Mes të tjerash Malaj tha se do të japë kontributin e tij në Partinë Agrare Ambientaliste.
LETRA E MALAJT
06.03.2021
Perse nuk do të jem pjesë e listave për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit?
“Gjithmonë kam vlerësuar se t’i shërbesh vendit tënd
me dashuri, integritet dhe profesionalizëm
nuk është e domosdoshme të jesh pa tjetër deputet apo ministër”.
Arben Malaj
Fillimisht dua të afishoj një falënderim mirënjohës për gjithë inspiruesit dhe mbështetësit në angazhimet dhe përgjegjësitë e mia politike dhe publike.
Falenderoj familjen dhe mësuesit e mi për vlerat që më edukuan, të cilat më shërbejnë në çdo angazhim dhe sfidë.
Falenderoj votuesit dhe mbështetësit e mi dhe në mënyrë të vecantë njerëzit e mrekullueshëm të qarkut të Vlorës që kam pasur nderin dhe përgjegjësinë ti përfaqësoj 16 vite në parlament dhe 5 vite në qeveri ( 1997-2013).
I falenderoj partitë politike të opozitës që më ofruan mundësi për të qenë pjesë e listave të tyre konkuruese, por gjithmonë kam vlerësuar se t’i shërbesh vendit tënd me dashuri, integritet dhe profesionalizëm nuk është e domosdoshme të jesh pa tjetër deputet apo ministër.
E mirëkuptoj promovimin e gjeneratave të reja, por vlerësoj shumë të rëndësishme sidomos për kulturën dhe historinë tonë shtetformuese, harmonizimin e dijeve dhe energjive të të rinjve me përvojën dhe përkushtimin e gjeneratave.
I kam inspiruar dhe mbështetur të rinjtë gjatë mandateve si ekonomist, profesor, studiues dhe politikan, por shprehem sërish skeptik ndaj absolutizimit të avantazheve të gjeneratave të reja sidomos kur karriera e tyre politike bazohet thjesht në preferencat individuale të liderëve partiakë.
Shqipërisë në sfidat e saj të vështira i vlejnë barazvlefshëm edhe energjizmi rinor, edhe maturia si përvojë.
Eksperiencat konkrete gjatë tranzicion tonë të vështirë, tregojnë se për disa “politikanë parafabrikat”, pushteti abuziv dhe paraja janë qëllimi i vetëm. Me arrogancën dhe babëzinë e tyre ata : (i) kanë dëmtuar demokracinë e brendshme në partitë politike; (ii) kanë rritur agresivitetin ndërpartiak në parlament dhe debatet publike; (iii) kanë përkeqësuar qeverisjen e vendit dhe (iv) kanë ushqyer korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
Detyrimin mirënjohës ndaj popullit dhe vendit tim dhe ndaj socialistëve të thjeshtë do ta vazhdoj me të njëjtin përkushtim mirënjohës si qytetar, studiues dhe kontribues me zë publik për reformat strukturore shtetformuese, sfidat e mirëqeverisjes dhe për reformat sektoriale me prioritet të ekonomisë së gjelbër dhe të ekonomisë së dijes.
“E ardhmja do të jetë e gjelbër” – prandaj si studiues do të përkushtohem për promovimin e të gjelbërve në politikën shqiptare duke i dhënë mbështetjen e merituar publike “Partisë Agrare Ambientaliste” dhe shoqërisë civile.
Uroj nga zemra që e ardhmja më e mirë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të jetë i vetmi mision dhe përkushtim i çdo të angazhuari në mandatet e rëndësishme politike dhe publike!
Përherë mirënjohës dhe i përkushtuar ndaj vendit tim,
Arbeni