Arben Ndoka kallzohet në prokurori, për 1.5 mln euro të pajustifikueshme

Deputeti i dorëhequr nga PS-ja, Arben Ndoka, kallëzohet penalisht për fshehje të pasurisë nga ILDKPKI.   

-“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Arben Ndoka, me funksion Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kontroll i filluar me urdhrin e Inspektorit të Përgjithshëm më 28 gusht 2015,” – thuhet në njoftimin zyrtar, që vijon më tej, edhe mbi akuzat e ngritura ndaj tij.

“Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare në shumën rreth 1,5 milion euro dhe për rrjedhojë subjekti Arben Ndoka është kallëzuar penalisht.”

“Subjekti Arben Ndoka refuzoi ftesën e ILDKPKI dërguar më 27 gusht 2015, duke mos u paraqitur për të dhënë shpjegime e dorëzuar dokumentacionin justifikues lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, duke u bërë rasti i dytë që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shpërfillin ligjin dhe institucionet ligj-zbatuese të shtetit.”

“ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm, për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale, duke mbajtur parasysh faktin që kemi të bëjmë me një deputet të dënuar jashtë vendit për vepra të rënda penale e që pasuria e tij, e pajustifikuar me burime të ligjshme, mund të jetë rezultat edhe i këtyre aktiviteteve kriminale.”

Deputeti i Qarkut Lezhë, Arben Ndoka, dha dorëheqjen nga mandati i deputetit në fillim të kësaj jave.

SHKARKO APP