Arbër Hajdari: Kemi ndihmuar 13 mijë familje në nevojë
Pandemia jo vetëm që izoloi Shqipërinë por solli edhe më shumë varfëri dhe kolaps të ekonomisë. Kryetari i fondacionit “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdari, sëbashku me fondacionin e tij, që në fillimin e kësaj pandemie në vendin tonë, është angazhuar në një fushatë për ndarjen e ndihmave për personat në nevojë. Ai thotë se kërkesat për ndihma janë rritur në masën 45%.
“Duke marrë parasysh kërkesat që kemi ne, është në masën 45%. Edhe për shkak se është zgjeruar ai grupi i njerëzve që kanë nevojë për ndihmë. Ne kemi pasur tre modele pakosh, një ka një shportë për tre javë ushqime. Kemi shportat për të moshuarit dhe për zonat rurale. Për të moshuarit pako ka disa gjëra ekstra. Një shportë kushton 70 mijë lekë të vjetra. Në zonat rurale ne kemi shtuar dhe një thes miell 25 kilogramësh. Deri më tani ne kemi qenë në mbi 13 mijë familje në të gjithë Shqipërinë”.
Sa i përket zonave më problematike, Arbri thotë se fshatrat e veriut konsiderohen si zonat më problematike, por edhe fshatrat e Tiranës dhe Elbasanit, kanë nevojë për ndihmë. “Veriu dhe fshatrat e veriut kanë shumë nevojë. Por edhe fshatrat e Elbasanit dhe Tiranës kanë shumë nevojë. Na është vështirësuar pak puna këto kohë, për shkak të procesit të verifikimit. Na ka marrë pak kohë verifikimi dhe për t’i dërguar ndihma personave në nevojë. Që në javën e parë të pandemisë ne nisëm një fushatë për të grumbulluar ushqime. Sot jemi në kuadrin e 500 mijë eurove, të dhuruara nga subjekte të ndryshme në vlerë malli. Vijon solidariteti edhe pse vijmë nga një situatë pas tërmeti. Flasim për tonelata të dhuruara nga bizneset shqiptare. Ne kemi njoftuar disa herë që jemi në një tryezë në hapa që ka hedhur qeveria dhe nuk mund të hedhim asnjë hap pa to. Në zonën e Vaqarrit do të ndërtohen 40 e ca shtëpi, dhe presim që situata e pandemisë të kalojë dhe të nisim ndërtimin. Kemi evidentuar familjet që do t’i ndërtojmë shtëpitë dhe jemi gati për të nisur ndërtimin pasi të kalojë pandemia”.