Ardi Veliu lë postin 10 ditë para afatit për riorganizimin e Policisë: Bëra më të mirën edhe në tubimet e dhunshme
Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, edhe pse mandati është 5 vjeçar, ai qëndroi vetëm 4 vite. Lajmin e ka konfirmuar Edi Rama, teksa ka publikuar në Twitter, edhe letrën e Veliut. Kryeministri teksa e falënderon për punën, thekson se Ardi Veliu ka akoma më shumë për t’i dhënë shtetit.
”Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer”,-shkruan Rama.
Në letrën e tij, Veliu thekson se ikën nga kjo detyrë për tu përkushtuar familjes dhe fëmijëve, pasi janë në një moshë delikate. Teksa ka renditur fushat e punës, Veliu nënvizon se është përpjekur që të japë më të mirën dhe në tubimet e dhunshme.
”Për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si Drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit, në një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrfikikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap më të mirën time dhe të forcave tona policore, duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit të organizuar e atij të rrugës, flukset e emigrantëve apo dhe tubimet shpeshherë të dhunshme”,-shkruan Veliu.
Kjo dorëheqje vjen 10 ditë para përfundimit të afatit 100 ditor që kryeministri Edi Rama kishte vënë për riorganizimin e Policisë së Shtetit dhe vendosur prioritete të qarta.