Arian Starova: Shqiptarët dhe anëtarësimi i vonuar në NATO i Maqedonisë

 

Nga Arian Starova*

 

Pak javë më parë Mali i Zi mori ftesën për anëtarësim në NATO, një ftesë, e cila, sipas mendimit tim, mund të ishte ofruar ndoshta edhe një ose dy vjet më përpara. Gjithsesi, ky ishte një hap me rëndësi madhore për vetë Malin e Zi, për NATO-n dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo ftesë ka qenë përgjigja më e mirë ndaj atyre aktorëve ndërkombëtarë si Rusia, e cila në shkelje të ligjit ndërkombëtar (siç bëri në Krime) është duke u munduar të këmbëngulë në interesat e saj gjeopolitikë pa përllogaritur lirinë për të zgjedhur dhe interesat e vetë vendeve si Mali i Zi. Ky është një zhvillim shumë pozitiv i padiskutueshëm për Shqipërinë, e cila në veri dhe në jug shumë shpejt do të kufizohet tani vetëm me shtete-anëtarë të NATO-s.   

Ndërkohë, fqinja tjetër lindore, Maqedonia e banuar me një të tretën e popullsisë së saj nga shqiptarë, ka mbetur përpara dyerve të hapura të NATO-s për anëtarësim që prej Mbledhjes së nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht në pranverën e vitit 2008, por ende në pritje të një ftese për t’u bërë anëtarësuar në këtë Aleancë. Opinioni publik i përgjithshëm por edhe njerëzit më të interesuar siç janë ekspertët e sigurisë e kanë lidhur ngecjen e këtij anëtarësimi në NATO me grindjen greko-maqedonase mbi emrin e Maqedonisë, një grindje, e cila, megjithë ndërmjetësimin ndërkombëtar të OKB-së, po zvarritet çuditshëm pa gjetur zgjidhje që prej mëse njëzet vjetëve. Kjo grindje për emrin ka arsyet e veta, por për mendimin tim, është e papërligjur që ajo të vazhdojë që prej njëzet vjetëve. Greqia i kërkon Maqedonisë të ndryshojë emrin me argumentet se ajo ka brenda saj një rajon verior të quajtur Maqedoni dhe se historia tregon se Maqedonia është greke. Maqedonia, nga ana tjetër, jep argumentet se emri i saj është përcaktuar pa kundërshtim nga Greqia që prej kohës së Jugosllavisë së Titos (Republika e Maqedonisë e themeluar në atë kohë e kishte edhe të drejtën e shkëputjes si e pavarur) dhe se historia tregon se ajo është pasardhëse e Maqedonisë së vjetër e cila nuk ka qenë greke. Një grindje me argumente historikë të tillë natyrisht nuk mbaron, sepse historia ka pafundësi të argumenteve si në dobi të njërës palë ashtu edhe të palës tjetër.

Nëse vijon kështu, thellohet kundërshtia e paarsyeshme ndërmjet përplasjes për historinë dhe nevojës përparësore të të dy vendeve për të jetuar të tashmen. Në të vërtetë, nëse vështrojmë marrëdhëniet e dy dhjetëvjeçarëve të fundit (që prej shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë) ndërmjet këtyre dy vendeve, atëherë shikojmë se thuajse gjithçka shkon mirë me përjashtim të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Nga ana e saj, edhe NATO ka shfaqur njëfarë mosngutjeje për anëtarësimin e Maqedonisë brenda saj përsa kohë nuk do të zgjidhet çështja e emrit si problem dypalësh ndërmjet këtyre vendeve. Ajo mund të ketë edhe shqetësime të tjera që lidhen me marrëdhëniet ende problematike ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, por këto nuk janë shprehur kurrë si shqetësim i madh. Prandaj, përballë kësaj gjendje, shtrohen disa pyetje thelbësore. E para, sa i rëndësishëm është për NATO-n anëtarësimi i Maqedonisë dhe a është vetëm emri problemi i saj? E dyta, sa rrezik ka në të vërtetë që nëse do të ruhet emri Republika e Maqedonisë, atëherë kjo mund të përbëjë rrezik sigurie për tërësinë tokësore veriore të Greqisë e cila quhet Maqedoni?  E treta, në ç’masë dëshiron Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s (duke mbajtur parasysh se një e treta e saj përbëhet nga shqiptarë autoktonë)? E katërta, përse shqiptarët tregojnë mosvëmendje ndaj emrit të Maqedonisë dhe dashur pa dashur edhe ndaj anëtarësimit të saj në NATO?

Duke u përpjekur që t’i përgjigjem pyetjes së parë, unë mendoj se NATO ka shumë interes për anëtarësimin e Maqedonisë brenda saj dhe ky interes ka ardhur duke u shtuar për shkak të rrethanave të sotme ndërkombëtare të sigurisë. Ajo ka lënë të kuptohet fare qartë se për shkak të rregullit të vendimmarrjes me konsensus brenda NATO-s, nuk mund ta detyrojë Greqinë të japë mbështetjen e saj për anëtarësimin e Maqedonisë. Dhe megjithatë, NATO do të duhej që të ushtronte më shumë trysni dashamirëse mbi të dy vendet që kjo grindje e paarsyeshme për emrin të ishte zgjidhur tashmë. Maqedonia mund ta kishte marrë ftesën për anëtarësim me kushtin e zgjidhjes sa më shpejt të problemit të emrit. Kushtit të Maqedonisë për marrjen e ftesës për anëtarësim mund t’i shtohej edhe ai i përkushtimi më të madh për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit që rregullon marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. Shfaqja më e fortë e interesit të NATO-s për anëtarësimin e Maqedonisë brenda saj është shumë e rëndësishme qoftë edhe vetëm për të bërë të heshtin ca shpresa të mjegullta dhe të paarsyeshme ndër shqiptarë dhe maqedonas të cilët “ëndërrojnë me sy hapur” për shpërbërjen e Maqedonisë dhe sajojnë tragjedi të dhimbshme si ajo e Kumanovës. Kjo gjendje e paqartë e Maqedonisë përpara “dyerve të hapura të NATO-s” është duke ushqyer papushim teoritë mitiko-konspirative mbi shpërbërjen e Maqedonisë, por kjo do të sillte rihapjen e kutisë së Pandorës në Ballkanin Perëndimor. Kurse vetë këtë gjendje ëndërrimtare e ushqejnë mangësitë themelore në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për marrëdhëniet e barabarta me ligj ndërmjet dy etnive themelore shqiptare dhe maqedonase.   

Në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes së dytë, unë do të thosha se është i papërfytyrueshëm një shtet maqedonas i së ardhmes i cili të ishte kërcënim për tokat e e emërtuara Maqedoni të Greqisë veriore. Aq më shumë është e vërtetë kjo, kur është e mirënjohur se Maqedonia e mendon të ardhmen e saj si pjesë të NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Atëherë, këtu, mbetet pa përgjigje një nënpyetje tjetër se cili është interesi i Greqisë në bllokimin që po i bën për njëzet vjet çështjes së emrit të Maqedonisë?! Përse Greqia po i pengon edhe planet e NATO-s për anëtarësime në Ballkanin Perëndimor?! 

Në lidhje me interesin e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO gjërat janë të padiskutueshme pozitive, por unë do të doja të theksoj se shqiptarët janë të interesuar të gjithë pa përjashtim për këtë anëtarësim. Po e prek në këtë shkrim mbështetjen e opinionit publik të Maqedonisë për anëtarësimin në NATO vetëm dhe vetëm sepse kjo nuk përbën një shkak që NATO të jetë e papërshpejtuar për këtë anëtarësim. 

Pyetja e katërt që lidhet me rolin e shqiptarëve për problemin e emrit të Maqedonisë dhe të anëtarësimit në NATO më duket shumë e rëndësishme dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë e tyre. Të gjithë e dinë se Maqedonia nuk është vetëm e maqedonasve me popullsi dhe me territor. Atëherë, përse shqiptarët që përbëjnë një të tretën e popullsisë së Maqedonisë kanë qëndruar “të përgjumur” në lidhje me zgjidhjen e çështjes së emrit të saj? Ata duhej të kishin ushtruar trysni të fortë që kjo çështje të zgjidhej sepse ishte edhe në interesin e tyre. Për më shumë, kjo çështje lidhej dhe lidhet ngushtë edhe me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO të cilin shqiptarët e donin edhe më me shumicë sesa maqedonasit. Nuk e kuptoj se përse partitë shqiptare nuk e kanë bërë këtë gjë. Kur kam folur ndonjë herë rastësisht dhe miqësisht me përfaqësues të tyre, gjithnjë më kanë dhënë të drejtë, por përpjekje politike të shprehura qartë, mesa duket, nuk janë bërë.

Më shumë se kaq nuk mund të them për rolin e politikës së shqiptarëve të Maqedonisë për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë dhe të anëtarësimit të saj në NATO, por logjika e përpjekjeve politike për integrimet Euroatlantikë e kërkon një rol dhe një përgjegjësi më të përkushtuar të shqiptarëve dhe pa humbur kohë.     

*President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë

SHKARKO APP