Arinjtë e murrmë, fqinjët e veçantë të TAP në Shqipëri
Një nga “fqinjët” më të veçantë të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), në zonat malore të Shqipërisë, është ariu i murrmë evropian.
Mbrojtja e arinjve dhe habitatit të tyre merr një rëndësi të madhe për TAP dhe për këtë qëllim është ndërtuar një program monitorimi ku përdoren edhe kamera filmike. Monitorimi i aktivitetit të arinjve kryhet përgjatë 24 orëve dhe pa i shqetësuar ata. Në të njëjtën mënyrë monitorohen jo vetëm arinjtë e murrmë por të gjitha kafshët e egra pranë gjurmës së gazsjellësit TAP.
Nisur nga monitorimi vjetor i aktivitetit të arinjve dhe kafshëve të tjera të egra bëhet edhe programimi i kalendarit të punimeve. Në këtë mënyrë punimet për ndërtimin e gazsjellësit ndikojnë minimalisht në aktivitetin e kafshëve të egra që e kanë habitatin e tyre pranë gjurmës së gazsjellësit.
Monitorimi i aktivitetit të kafshëve të egra dhe habitatit të tyre realizohet nga ekipet e mjedisit në TAP. Këta ekipe përbëhen nga ekologjistë dhe specialistë që kanë njohuri mbi bio-diversitetin dhe ekosistemin e zonës. Për të ruajtur dhe respektuar habitatin e arinjve dhe të kafshëve të tjera, TAP ka zgjedhur të mos tregojë vendndodhjen e kamerave dhe vendet ku janë parë kafshët e egra.