Ariola u mbajt e ”gjallë” për 40 mijë lekë asistencë, dy mjekë dhe agjencia e funeralit në hetim
Ngjarja e pazakontë në Kukës, ku Xhevit Sopaj përmes falsifikimit të dokumenteve kishte arritur të “lindte” dhe të fuste në trungun familjar një fëmijë që nuk ekzistonte, ka sjellë zgjerimin e hetimeve nga prokuroria e Kukësit. Një mjek që ka lëshuar kartelën e lindjes së fëmijës në datën 13 nëntor 2002 dhe një mjek tjetër në Kukës, që ka lëshuar vërtetimin e vdekjes në 28 janar 2021, po hetohen pas dyshimeve të forta se mund të jenë të implikuar në falsifikimin e formularëve.
Për këtë çështje prokuroria ka marrë në pyetje mjekun e familjes Sopaj, i cili ka pohuar me bindje të plotë se nuk ka lëshuar asnjë skedë vdekje për shtetasen Ariola Sopaj. Mes subjekteve që është vënë në verifikim nga akuza, është dhe një funeral me emrin “Blini”, i cili në datën 15 janar 2021 rezulton të ketë lëshuar një kupon tatimor, ku vërtetohej shërbimi i ceremonisë së varrimit të shtetases fiktive 19-vjeçare Ariola Sopaj.
”Kuponi tatimor i paraqitur së bashku me vërtetimin e vdekjes, nuk përkon në koherencë datore, pasi kuponi i agjencisë funerale mban datën 15 janar 2021 ndërsa vërtetimi i vdekjes është përpiluar në 28 janar 2021”,-thuhet në dosjen e prokurorisë së Kukësit.
Nga verifikimet e kryera deri në këtë fazë, ka rezultuar se dhe vulat zyrtare nuk janë të njëjta. Qëllimi i vetëm i 57-vjeçari Xhevit Sopaj, ka qenë zgjerimi i familjes së tij, duke shtuar një fëmije fiktiv. I gjithë ky skenar është kryer për marrjen e një shumë financiare prej 40 mijë lekë të vjetra asistencë. Sipas prokurorisë së Kukësit përfitimin e asistencës sociale, duke përdorur një fëmijë fiktiv të quajtur Ariola Sopaj, Xheviti e marrë qysh prej nëntorit të vitit 2002.
Ndihma ekonomike për këtë rast është ndërprerë në fillim të Janarit 2021, kur 19-vjeçaria Ariola Sopaj është çregjistruar si e vdekur në Zyrën e Gjendjes Civile pranë Bashkisë Kukës. Skenarin për të shtuar familjen e tij, i arrestuari Xhevit Sopaj, e ka kryer në një moment, kur kishte lindur dy fëmijë.