Arkitektët kundër shembjes së Teatrit: Tirana po shndërrohet në fjetore kullash prej betoni
Unioni i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve kundërshtoi sot vendimin e qeverisë për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Përmes një deklarate publike, Unioni i kërkon qeverisë të ndalojë projektin e shembjes së teatrit dhe ndërtimit të kullave në truallin ku sot ndodhet teatri:
“Nëse trashëgimia e ndërtuar do të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyrë, së shpejti qytetet tona do të transformohen në fjetore kullash prej betoni.”Unioni shkruan se në arkitekturë ka parime e koncepte që lejojnë ruajtjen dhe vazhdimësinë e historikes me aktualen: “Një nga karakteristikat më kryesore të qytetit është shtresëzimi. Kjo është arsyeja përse qyteti europian sot trashëgon kontekste të pasura me ngjarje dhe çdo cep i tij flet për histori. Çdo cep i qytetit edukon respekt dhe dashuri!Në vend që të fillojmë qytetin nga e para sa herë i teket dikujt do të ishte më e shëndetshme të mësojmë ta shtresëzojmë.
Për fat te keq Shqipëria, Tirana në veçanti ka një traditë shumë problematike në lidhje me ruajtjen e qytetit, duke filluar që nga periudha e diktaturës. Të njëjtat qendrime kanë vazhduar edhe në keto njëzetetetë vitet e fundit. Historia nuk duhet ideologjizuar, pasi edhe në keto raste brezat kane se çfarë të mësojnë e të mos e përserisin më”, shkruhet në njoftim.
Qëndrimi i plotë:
Unioni Shqiptar i Arkitektëve Urbanistëve dhe Planifikuesve Urban reagon ndaj vendimit për prishjen e ndertesës së Teatrit Kombëtar në mbeshtetje të komunitetit të artistëve.
Eshtë bërë e zakonshme zhdukja e papritur e objekteve publike në Tiranë. I cilesuar shpesh si një qytet pa shumë histori, Tirana është bërë shpesh arenë e nderhyrjeve urbanistike mizore, të përligjura djallëzisht nga kjo papërgjegjësi historike ndaj qytetit. Arsyet e mungesës së historisë kanë qenë vetë pushtetet e mbeshtetura nga grupe teknicienësh të lidhura me to. Interesat dhe injoranca për të lexuar qytetin kanë mbizoteruar prej më se 6-7 dekadash. Kjo nuk mund te vazhdoje me!
Një nga karakteristikat më kryesore të qytetit është shtresëzimi. Kjo është arsyeja përse qyteti europian sot trashegon kontekste të pasura me ngjarje dhe çdo cep i tij flet për histori. Çdo cep i qytetit edukon redpekt dhe dashuri!
Për fat te këq Shqipëria, Tirana në veçanti ka nje traditë shumë problematike në lidhje me ruajtjen e qytetit, duke filluar që nga periudha e diktatures. Të njëjtat qendrime kanë vazhduar edhe në keto njëzetetetë vitet e fundit. Historia nuk duhet ideologjizuar, pasi edhe në keto raste brezat kane se çfarë të mësojnë e të mos e përserisin më.
Ne menyre te ngjashme AUA ka reaguar për vendimin e prishjes së Piramides ne vitin 2012, per prishjen e Stadiumit ne vitin 2017, per nderhyrjet brenda kufirit te parkut që po cënojnë seriozisht funksionimin te tij, dhe për një sërë ndërhyrjesh të tjera që kanë cënuar trashëgimnine e ndërtuar.
Në vend që të fillojmë qytetin nga e para sa herë i teket dikujt do të ishte më e shëndetshme të mësojmë ta shtresëzojmë. Nëse trashëgimia e ndërtuar do të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyre së shpejti qytetet tona do të transformohen në fjetore kullash prej betoni.
Me respekt,
Kryetari i Unionit Shqiptar të Arkitektëve Urbanistëve dhe Planifikuesve Urban
KOHA JONË SONDAZH

