Arlind Qorri: Studentët nuk ndalen, s’kanë për t’u kënaqur me thërrime
Pedagogu dhe aktivisti, Arlind Qorri, deklaron se VKM-ja e qeverisë për tarifën e provimeve të prapambetura ishte skandaloze.
I ftuar në Ora News, ai tha se gjithçka po ndodh është pasojë e ligjit për arsimin e lartë.
Teksa zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini, tha se tarifa për kreditet ka qenë kërkesë e Universiteteve, Qorri tha se shumica e Bordeve Administrative të Universiteteve janë nën kontrollin e qeverisë.
Shahini: VKM kishte qëllim të realizonte diçka pozitive, por nuk rezultoi e tillë dhe pa problem u tërhoqëm nga kjo pikë.Për tre pikat e tjera jemi plotësisht dakord po presim të na dërgojnë emrat këshillat studentorë dhe të fillojmë nga puna momentin e parë që studentët janë gati.
Qorri: Studentët nuk kanë për tu ndalur dhe nuk kanë për tu kënaqur me thërrime. VKM-ja në fjalë është skandaloze.Kostoja shtesë për një riprovim studenti është 2 lekë të reja sa dy fletë A4 dhe studentëve do tu kërkohej mesatarisht 3 mijë lekë të reja për provim.Zëvendësministrja tha se kërkesën e kanë bërë Universitetet, nëse e kanë bërë Bordet e Administrimit me ligjin e arsimit të lartë shumica dërmuese kontrollohen nga qeveria, edhe Universiteti i Tiranës.
Anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës është zëvendëskryetari i bashkisë.Imagjinoni si ky i bën propozim qeverisë në emër të Universitetit. Ky problem lind me ligjin e arsimit të lartë, ka shkatërruar autonominë universitare. Në 2013 kur qeveria mori përsipër reformën emëroi ca vetë, shokët e vet dhe tha do të bëjmë reformë me këta. Që atëherë kemi thënë duhet universitarët, të zgjedhurit nga Universitetet në mënyrë demokratike të marrin përsipër reformën. Atëherë qeveria nuk na dëgjoi, sot do ta bëjmë me patjetër.
KOHA JONË SONDAZH

