Sot beteja për Federatën Shqiptare të Futbollit
Asambleja e FSHF për zgjedhjetn e kreut të ri vazhdon dhe do të jemi dëshmitarë të një dueli dhe përplasje të madhe në botën e futbollit, por jo ndeshje në fushë. Ndeshen Armando Duka dhe deputeti Bashkim Fino. Asambleja ka filluar e tensionuar. Furgona policie kanë rrethuar vendin ku po zhvillohet zgjedhja e kreut të ri.
Në hapje të Asamblesë së 7 të Përgjithshme Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Futbollit, presidenti Armand Duka u shpreh se sot merren vendime për fatet në vijim të futbollit shqiptar. “Duhet të fitojë futbolli. Të gjithë bashkë mund ta çojmë përpara progresin e deritanishëm. Kam bindjen e palëkundur që kjo asamble do t’i japë një shtysë akoma më të madhe ambicieve tona. Sot merren vendime për fatet në vijim të futbollit shqiptar”, u shpreh Duka.
Presidenti i ri zgjidhet me 2/3-at e votave, e në rast balotazhi, më pas do të mjaftojë shumica e thjeshtë (50%+1) për të shpallur presidentin.
Që nga koha kur në Federatën Shqiptare të Futbollit, organet drejtuese zgjidhen në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga politika, vetëm një herë procesi zgjedhor ka kaluar në balotazh. Bëhet fjalë për vitin 2002, kur u zgjodh për herë të parë në krye të FSHF-së, Armand Duka, të cilit për të mundur rivalin e tij Mehdi Bushati iu desh të kalonte në balotazh.
Por, nëse në zgjedhjet e kaluara presidenti aktual u zgjodh thjesht me duartrokitje, pasi nuk pati rivalë, në këtë fushatë, gara ka qenë e fortë. Statusi i politikanit të kandidatit Fino ka sjellë akuza nga rivali i tij Duka për ndërhyrje politike, por UEFA dhe FIFA kanë kërkuar herë pas here që procesi t’i përmbahet rregullores sportive.
Ndërkohë, pas përfundimit të procesit zgjedhor për president, në Asamble do të zhvillohet votimi për 9 vendet e Komitetit Ekzekutiv, e për këto vende janë në garë 23 kandidatë.
Fushata para zgjedhore u zhvillua e egër mes Dukës dhe Finos me akuza që as politika nuk i kishte provuar këto 27 vite. Duka me akuzën se ka përballë PS-në dhe sekretarin socialist, kurse Fino me akuza për keqmenaxhim. Ndërkohë mësohet se krejt pushteti dhe strukturat e shtetit janë angazhuar për të fituar deputeti Bashkim Fino. Megjithatë vota është e fshehtë dhe nuk dihet se si del votimi.
Bashkim Fino ka deklaruar më parë se nuk do ti lejojnë të hyjnë në sallën e votimit 12 anëtarët në fjalë, por deri tani ata janë si delegatë. Nga UEFA dhe FIFA ka përfaqësues dhe vëzhgues.
Pritet pak përplasje edhe fizike, por shpresojmë që jo siç është parashikuar… Nga korrespodenti ynë në Asamble mësojmë se ka shumë tension. Për momentin jemi te përshendetjet e të ftuarve nga UEFA.

Në foto: Forca policie që rrijnë në gadishmeri nëse plas grushti në Asamble
KOHA JONË SONDAZH

