Arratisja, gjyqtari i Vlorës: Më iku para syve, në Gjykatë s’ka siguri
Arratisja nga salla e gjyqit e 28-vjeçarit Mikel Kasaj, përpara syve të policisë dhe gjyqtarit, ka risjellë në vëmendje dhe parametrat e sigurisë në gjykatën e Vlorës. Kryetari i kësaj gjykate, njëkohësisht dhe gjyqtari i çështjes së Kasajt, ku u dha vendimi, Skënder Haluçi thotë se i riu i iku policisë në momentin kur ai po i komunikonte dënimin me 3.4 vite burg.
Haluçi thotë se ambientet e Gjykatës së Vlorës kanë mungesë sigurie dhe trupa e gjyqtarëve dhe avokatëve janë të rrezikuar çdo ditë. Sipas tij, Kasën ka tentuar ta ndalojë shoferi i Gjykatës në korridor, pasi iu iku dy oficerëve që ndodheshin në sallë.
”Gjykata e Vlorës është jashtë çdo lloj parametri sigurie. Ka mungesë të sigurisë në Gjykatë. Kam kërkuar marrjen e masave për sigurinë e trupës së gjykatës dhe të qytetarëve në këto ambiente. Në këto ambiente ndodhin përditë probleme të qytetarëve me avokatët dhe gjyqtarët. Në sallën e gjyqit janë vetëm dy punonjës policie dhe nuk ka asnjë forcë tjetër sigurie pavarësisht kërkesave që kam bërë prej 4 vitesh. I arratisuri ka përshkuar të gjitha korridoret e gjykatës dhe përplasur vetëm me shoferin e gjykatës i cili ka tentuar ta ndalojë por pa rezultat”,-tha Haluçi.
Siguria dhe mbrojtja e jetës së gjyqtarëve ka qenë kërkesa tjetër e vazhdueshme e Haluçit, prej katër vitesh në këtë detyre. “Kërkojmë autoriteteve shqiptare të marrin masa për mbrojtjen e jetës së gjyqtarëve”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

