”Arrest në burg” për Saraivën, portugezi: S’kam lidhje me vr*sjen e Nikulajt, në Shqipëri isha për pushime

Këtë të martë, Gjykata e Lezhës i dha masën e sigurisë “arrest në burg” Ruben Saraivës, portugezit të akuzuar për vrasjen e Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në Shëngjin më 19 Prill 2023.

Saraiva u shoqërua në gjykatë nën masa të forta sigurie nga policia. Ndaj 28-vjeçarit ishte caktuar “arrest në burg” në mungesë, masë kjo që iu komunikua sot (2 Janar 2024) nga Gjykata e Lezhës. Ai akuzohet për vrasje për gjakmarrje dhe armëmbajtje pa leje.

Para trupës gjykuese, Ruben Saraiva deklaroi se nuk ka lidhje me vrasjen e Ardian Nikulajt, ndërsa në Shqipëri kishte ardhur për pushime. Këto pohime të tij brenda gjykatës u bënë të ditura nga avokati i tij në përfundim të seancës.

“Reagimi ishte që unë nuk kam asnjë lidhje me atë ngjarje për të cilën po akuzohem, kam marrë dijeni nëpërmjet mediave, jam arrestuar në Marok ku isha për punë të tjera. Nuk kam asnjë njohje, tha, as me atë as me ndonjë shqiptar. Në Shqipëri tha që kishte qenë për pushime”, deklaroi për gazetarët Elton Laska, avokati i Saraivës.

Ruben Saraiva u arrestua në Marok më 8 Maj për llogari të autoriteteve shqiptare dhe u ekstradua në vendin tonë më 31 Dhjetor 2023.

SHKARKO APP