Arrestimet në Gjykatën e Krujës, reagon Këshilli i Lartë Gjyqësor

Pas arrestimeve të bujshme në Gjykatën e Krujës, mes të cilëve edhe të gjyqtares Enkeleda Hoxha, e cila akuzohet për lirimin e disa personazheve të njohur të botës së krimit në vend, mes të cilëve dhe Endrit Doklen, ka reaguar Këshilli i Lartë Gjyqësor. Në njoftim theksohet se KLGJ garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës.

”Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë lidhur me arrestimet e kryera nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë, procese të cilat duhet të zhvillohen pa asnjë ndikim, të çfarëdolloj. Si organ i qeverisjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor respekton pavarësinë institucionale dhe të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt ligjor.

Këshilli do të marrë në vazhdimësi të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e KLGJ.

SHKARKO APP