Arrestimi i pedagogut Dino, avokati: Aq lekë i mbajmë të gjithë në xhepa, s’kishte mundësi për ndërhyrje

Pedagogu i Fakultetit të Shkencave Sociale në universitetin “Fan Noli” në Korçë, Alket Dino 34 vjeç është vënë në pranga pasi akuzohet se merrte para në këmbim të dhënies së provimeve. Në pranga ka rënë edhe Xhevi Dervishi 35 vjeç, i cili luante rolin e sekserit, ndërmjetësit mes studentëve dhe Dinos.

Arrestimi u bë pranë Fakultetit, teksa i janë gjetur edhe një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Avokati i Alket Dinos, tha se hetimet për rastin kanë filluar nga SPAK dhe janë finalizuar ditën e djeshme me anë të një agjenti të infiltruar, por që sipas tij, Dino ka kontaktuar me të akuzuarin tjetër si sekser, Xhevi Dervishin, për marrjen e një shtëpie me qira me anë të agjencisë që ka ky i fundit.

Nga ana tjetër ai shtoi se në momentin e ndalimit dhe pas kontrollit fizik, avokati theksoi se Dino nuk ka patur asnjë monedhë euro ndërsa theksoi se rezultatet e provimit janë mbyllur një javë përpara se të kryheshin veprimet e ditës së djeshme, kështu që siopas avokatit, Dino nuk ka pasur asnjë mundësi që të ndërhynte për ndryshimin e notës.

”Alketi është ndaluar mbrëmë dhe jo sot për shkak të një hetimi të filluar nga SPAK i filluar 1 muaj më parë. Dje kanë proceduar me kryerjen e një veprimi stimulues me anë të një agjenti të infiltruar. Bëhet fjalë për një studente e cila ka pasur një provim të ngelur dhe janë kryer veprime të stimuluara përmes një personi tjetër që tashmë është i njohur publikisht, është Xhevair Dervishi. Agjenti pretendohet se ka marrë komunikim me këtë person të cilit dhe i ka premtuar lekë. Ndërkohë që në momentet e arrestimit i mbrojturi prej meje nuk ka pasur asnjë nga të hollat e përdorura në veprimin stimulues, një pjesë e lekëve janë gjetur tek personi tjetër, një pjesë nuk janë gjetur. Ne jemi në pozita mohuese. Është i vërtetë fakti se dje ka pasur kontakt mes Xhevairit dhe profesorit por ka qenë kontakt për një arsye tjetër, për shkak të një interesi të profesorit për marrjen e një shtëpie me qira që Xhevairi është pronar i një agjencie imobiliare në fushën e banesave. Ky fakt është provuar dhe në shpjegimet që kemi dhënë ky takim është pikërisht për këtë. Çfarë ka ndodhur mes agjentit të infiltruar dhe Xhevairit është pjesë që duhet ta zgjidhin ata dhe jo ne. Profesor Alketi është pozicionuar qartë dhe nuk ka lidhje me asnjë rast të tillë aq më pak për rastin në fjalë për të cili edhe është arrestuar, klienti im mban një pozitë kategorikisht mohuese. Për më tepër që rasti i studentit ku pretendohet se është paguar me veprimin stimulues, 500 euro për një provim, në momentin e kontrollit fizik të profesorit nuk është gjetur asnjë monedhë euro. Është gjetur vetëm një sasi lekësh shqiptare që i mbajmë gjithsecili përditë në xhepa. një pjesë e eurove pretendohet se është gjetur në xhepin e Xhevairit. Rezultatet e provimit janë mbyllur një javë përpara se të kryheshin veprimet e ditës së djeshme, nuk ka asnjë mundësi për ndërhyrje në sistem. Që të ndryshohet rezultati duhet të mblidhet komisioni, duhet të rijepet provimi, duhet të kalojë në gjithë filtrat që ka universiteti dhe më pas të ndërhyhet në sistemin elektronik, gjë që është e pamundur”,-u shpreh avokati.

Hetimet janë kryer nga Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK. Ndaj tyre rëndojnë akuzat veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.

SHKARKO APP