Arrestimi i prokurorit për ”Toyota Yaris”, Bardhi: Kërcënohet media që të fshihet emri i ”Tao-s”, apo familjari i deputetes

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar për arrestimin e prokurorit të Vlorës, Aurel Zarka pak ditë më parë, pasi del që ka favorizuar për dosjen ”Toyota Yaris”. Për të nuk bën sens që të urdhërohet mospublikimi i akteve dhe të kërcënohet media me burg veç që të mbahet e fshehtë përfshirja në këtë çështje e takimit të politikanit ”Tao”. ”Nuk bën sens që dy punonjës të drejtësisë me të drejtë të jenë në burg sepse akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm përmes përfitimeve monetare të parregullta, ndërkohë që “përfituesi” prokuror, vetëm se është familjar i një deputetje të Edi Ramës, të vazhdojë të japë drejtësi në emër të Republikës i pa shqetësuar”,-shkruan Bardhi.

Postimi i plotë

Procedimi penal nr. 26, datë 07.02.2024 i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vënë në pikëpyetje serioze kredibilitetin e sistemit të reformuar të drejtësisë në vend dhe ka vetëm një mënyrë për të vazhduar të ruhet besimi i publikut tek drejtësia: Drejtësi e barabartë, transparente dhe pa vija të kuqe.
Drejtësia selektive, që merr në mbrojtje disa prokurorë, në emër të vëllazërisë institucionale apo lidhjeve të forta politike, rrënon në mënyrë përfundimtare besimin e publikut tek SPAK.

Personalisht jam i shokuar nga të dhënat e përfituara nga hetimi i deritanishëm i kësaj çështje, që provon edhe njëherë se filtrit të vettingut i kanë shpëtuar një dyzinë prokurorësh e gjyqtarësh të korruptuar. Është detyrë e SPAK dhe GJKKO, që pa fshehur të dhënat, me kurajo dhe një hetim të plotë e të gjithëanshëm, të përmbushin misionin për pastrimin e drejtësisë nga prokurorët e gjyqtarët e korruptuar. Për fat të keq, të dhënat e deritanishme të hetimit të kësaj çështje, ngrenë dyshime të arsyeshme se po funksionon vëllazëria institucionale apo mbrojtja e prokurorëve me lidhje të forta politike. Mekanizmi kriminal “bëj gati xhixhat” duhet të sjellë pasoja për të gjithë.

Nuk bën sens që dy punonjës të drejtësisë me të drejtë të jenë në burg sepse akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm përmes përfitimeve monetare të parregullta, ndërkohë që “përfituesi” prokuror, vetëm se është familjar i një deputetje të Edi Ramës, të vazhdojë të japë drejtësi në emër të Republikës i pa shqetësuar.

Nuk bën sens që dy punonjës të drejtësisë me të drejtë të jenë në burg sepse akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm përmes përfitimeve monetare të parregullta, ndërkohë që të paktën dy prokurorë të SPAK, mes tyre i preferuari i Edi Ramës, që përshkruhen si prokurori me tarifën më të ulët apo tjetri me tarifën më të lartë, të vazhdojnë të bëjnë sikur luftojnë të pashqetësuar “krimin dhe korrupsionin” në emër të Republikës.

Nuk bën sens që të urdhërohet mospublikimi i akteve dhe të kërcënohet media me burg, vetëm që të mbahet e fshehtë përfshirja në këtë çështje e takimit të politikanit “Tao” me prokurorin e çështjes së “Toyota Yaris”. Nuk bën po ashtu sens që një pjesë e të dhënave për këtë çështje të përgjimeve të SKY ECC të sjella nga autoritetet e huaja (Europol, Eurojust, autoritetet franceze të drejtësisë, apo autoritetet belge të drejtësisë), të mos përdoren për hetimin e plotë e të gjithëanshëm të kësaj çështje, duke menduar se do mbeten të fshehta dhe për to nuk do të flitet.

Nuk bën sens që një ish-gjyqtar i akuzuar përgjithësisht si i lidhur me Bandën e Lushnjes, të vazhdojë i pashqetësuar edhe pse qartësisht është “magjistari” që shqyrton çështjet ku ka efekt ndikimi i paligjshëm. Nuk bën sens që komisionerja e vettingut që ishte mandatuar për të pastruar sistemin nga korrupsioni, të vazhdojnë të sillen sikur e ka përmbushur me integritet këtë mision, ndërkohë që përfshihet në afera vetë, në kaq pak të dhëna sa janë përfituar deri më tani nga kjo çështje.

SPAK është vënë edhe njëherë në një provë serioze nëse do sjell atë që presin qytetarët e ndershëm të këtij vendi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, apo do jetë selektiv dhe institucion me vija të kuqe. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është jetike për të ardhmen e Shqipërisë. Por ajo duhet të jetë serioze, e plotë, pa vija të kuqe dhe pa kursyer prokurorë, gjyqtarë, e politikanë, në emër të vëllazërisë institucionale, lidhjeve të forta politike apo statusit social “i pushtetshëm, bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës”!

SHKARKO APP