Arrestimi i Roshit, gazetari Hoxha: Por, kur Visi i Kavajës ka të drejtë!

Akuzat ndaj kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, se ai ka qenë i arrestuar në vitin 2000, sipas gazetarit Artan Hoxha nuk qëndrojnë. Sipas tij fotot e prangosjes së Roshit janë shkrepur gjatë arrestimit pas ndeshjes së futbollit, Besa-Tirana, e njohur kjo për opinionin publik, ngjarje e ndodhur në vitin 2013.

 Në profilin e tij Facebook, gazetari Artan Hoxha pretendon mbi këtë rast:    

“Meqë  jemi te Visi, e pashë dje te “Opinioni” i Fevzos këtë foto (Visi mes dy policëve i arrestuar), dhe Rama si Rama nuk diti t’i përgjigjej.  E kam parë dhe të publikuar në shumë  media online si foto prove e arrestimit të  Visit nga policia në vitin 2000 për shkak të  një  plagosje dhe armëmbajtje pa leje. Për të ndihmuar kolegët gazetarë  të mediave online, që të  mos gabojnë herë  tjetër dhe të mos i japin të  drejtë Visit të thotë që “media manipulon”, po publikoj edhe një foto tjetër të bërë po atë ditë kur është bërë foto e parë. Ngjarja që përmendet nga PD dhe mediat online, ku thuhet se policia ka arrestuar Visin e Kavajës gjatë vitit 2000 për një vendim të dhënë nga gjykata e Kavajës në vitin 1999, nuk ka fare lidhje me fotot e mëposhtme.

Këto dy foto janë bërë më 11 mars 2013 dhe 12 mars 2013, para zgjedhjeve parlamentare të  23 qershorit 2013. Elvis Roshi është shoqëruar nga policia e Tiranës, në drejtimin direkt të ish-nën-drejtorit të Policisë së Tiranes Erzen Brecani, pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e Superligës, Besa e Kavajës – Tirana. Trajneri i Tiranës, në atë kohë, Nevil Dede, menjëherë pas ndeshjes, bëri një kallzim në polici duke akuzuar kryebashkiakun e Kavajës se e kishte sulmuar fizikisht në dhomat e zhveshjes. Policia e Kavajës nuk pati kurajo të bënte shoqërimin e Roshit, dhe u desh vajtja e nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Breçani që të prangosej Vis Roshi. Në foton e dytë Roshi, është me të njëjtën veshje që paraqitet gjatë arrestimit nga policia, por menjëherë pasi është liruar nga gjykata. ….s’ke ç'i bën kur ka të drejtë Visi, ka të drejtë….kur s’ka, të çon ultimatum…”
 

SHKARKO APP