Arrestimi i zyrtarëve të AKBN-së, policia jep detajet e operacionit: Në pranga dhe inspektorë të Tatimeve e një biznesmen

Zbardhen detaje nga operacioni policor për arrestimin e disa zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Janë ekzekutuar 6 masa sigurimi, 5 “arrest me burg” e një “arrest shtepie”, si dhe janë shpallur në kërkim dy shtetas.

Operacioni policor i koduar “Akciza”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Pas hetimeve disa mujore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Tiranës, bëri ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara, ka caktuar masë sigurimi ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht:

Masën “Arrest në burg“ ndaj 5 shtetasve:

D.D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Q.H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

S.M., 32 vjeç, banues në Tiranë, rruga “Ylbere Bylykbashi“, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

A.D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

N.K., 53 vjeç, banues në Tiranë, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Masën “Arrest në shtëpi” ndaj 1 shtetaseje:

R.S(Q), 35 vjeç, banuese në Tiranë, me detyrë inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim shtetasit K.G., 45 vjeç dhe I.B., 51 vjeç.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP