Arrestohen dy zyrtarë të bashkisë së Beratit për vdekjen e 4-vjeçarit në park
Drejtori i shërbimeve në Bashkinë e Beratit dhe përgjegjësi i ndriçimit në zonat urbane janë arrestuar nga policia si përgjegjës për ngjarjen e rëndë të ndodhur në parkun e qytetit të Beratit ku një fëmijë 4 vjeç humbi jetën nga kontakti me rrymën elektrike, duke luajtur në lulishten në pedonalen e qytetit të Beratit.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lulishten në pedonalen e qytetit Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë bënë ndalimin e shtetasve:
P.I., 32 vjeç, me detyrë Drejtor i shërbimeve në Bashkinë e Beratit dhe Ll. H., 61 vjeç me detyrë përgjegjës i ndriçimit në zonat urbane, të dy banues në Berat.
“Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, shtetasi i mitur me iniciale A. B., 4 vjeç, duke luajtur në lulishten në pedonalen e qytetit të Beratit, ka gjetur vdekjen si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike. “
Po në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. T., H. I., E. B. dhe M. K., të katërt me detyrë elektricist pranë Bashkisë Berat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Shpërdorim Detyre”