Arrestohen tre adoleshentë, shantazhuan të miturën me foto intime

 

E shantazhuan, e mbajtën nën presion, i morën shuma të mëdha parash e sende me vlerë, por përfundojnë në pranga. Kjo është historia e tre adoleshentëve që u arrestuan në paraditen e djeshme në Tiranë.

Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, u arrestuan në flagrancë tre persona të moshës 15, 16 dhe 17 vjeç, të identifikuar nga policia me inicialet E. Leka, E. Sula, dhe R. Mema.

Ata dyshohet se nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, i kanë marrë një vajze një shumë prej rreth 4 milionë lekësh të reja. Vajza e mitur, vetëm 14 vjeçe, është shantazhuar se do i nxirrnin disa foto intime nëse nuk sillte paratë dhe sende të tjera me vlerë.

Për kanosjen ka qenë në dijeni edhe familja e saj, e cila ka pranuar fillimisht të japë shuma të majme me qëllim që ta linin të qetë vajzën.

Mirëpo kjo është përsëritur në katër raste. Ndërsa më datë 1 qershor është bërë denoncim nga ana e së miturës dhe familjarëve të saj.

Pas nisjes së hetimeve u përdorën metoda speciale për zbulimin e tre adoleshentëve. Ndërsa arrestimi i tyre është kryer në flagrancë në ditën e djeshme, pikërisht në momentin që ata ishin bërë gati të merrnin 500 mijë lekë të reja, policia kreu operacionin dhe i arrestoi.

Tashmë adoleshentët do të përballën me akuza të rënda, pasi shantazhimi në bashkëpunim dhe kanosja për dhënie shpërblimi konsiderohen vepra të rënda penale.

SHKARKO APP