Arrestohen tre trafikantët në Elbasan, iu gjetën heroinë, municion luftarak dhe para

Policia e Elbasanit ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Gjatë aksionit, policia ka arrestuar në flagrancë 3 shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike, përkatësisht shtetasit Ahmet Kushi, Aleksandër Hazizaj dhe Besmir Duka.

Gjithashtu, janë sekuestruar doza me lëndë narkotike heroinë, 3 aparate celular, një peshore e vogël elektronike, municion luftarak dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, gjatë kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit:

Ahmet Kushi, 31 vjeç, Aleksandër Hazizaj, 39 vjeç dhe Besmir Duka, 32 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “5 Maji”, Elbasan, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Ahmet dhe Aleksandër (vëllezër), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, 3 aparate celular, një peshore të vogël që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, një sasi municioni luftarak, kokrra të bardha të dyshuara si metadon dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

SHKARKO APP