Arrestohet me drogë vëllai i kreut të Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj

Artur Zotkaj, vëllai i kryetarit të bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj, është prangosur nën akuzë për trafik lëndësh narkotike.

Ai u arrestua nga policia si pjesë e një grupi që kultivonin dhe shisnin lëndën narkotike. Policia e Beratit zbuloi në biznesin e Artur Zotkajt 19 kilogramë marijuanë.

Bashkë me vëllain 46-vjeçar të kryebashkiakut, në pranga ranë edhe Kreshnik Hasenbelli 24 vjeç, Abedin Nurellai, 38 vjeç dhe Destared Allko 23 vjeç, banues në Poliçan.

Finalizimi i operacionit antidrogë të koduar “Pronovik” u shënua pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim të policisë me Prokurorinë. Pronoviku është zona ku grupi kultivonte kanabisin.

Në kuadër të këtij aksioni u shpall në kërkim një 22-vjeçar nga Poliçani me inicialet E.H si bashkëpunëtor i këtij grupi. Ata akuzohen për  veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

SHKARKO APP