Arrestohet një 39-vjeçar në Durrës, policia i gjen kokainë, peshore dhe mbi 5 mln lekë të vjetra në banesë

Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit për shpërndarje të lëndëve narkotike. Në pranga ka rënë i riu me iniciale L.K.

Nga kontrolli fizik si dhe në banesë, të riut iu gjet një sasi lënde kokainë, ku një pjesë, ai e kishte ndarë në disa doza të vogla.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një shumë prej 408 mijë lekësh të rinj dhe 1085 euro, dy peshore elektronike dhe sende të tjera që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Pista”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Operacioni nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me agjentët e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Durrës.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që shpërndante lëndën narkotike kokainë të ndarë në doza të vogla.

Sekuestrohen dhjetëra doza me kokainë, një shumë e konsiderueshme në euro dhe lekë dhe sende të tjera që shërbenin për peshimin dhe paketimin e lëndës narkotike në doza.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative për një shtetas që shpërndante kokainë në doza, në disa zona të qytetit të Durrësit, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës finalizuan operacionin policor të koduar “Pista”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. K., 39 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe më pas në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, një pjesë e saj e ndarë në doza gati për shitje, 408.800 lekë të rinj, 1085 euro, dy peshore elektronike dhe sende të tjera që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike në doza.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

SHKARKO APP