Arrestohet pronari i lokalit ku shpërtheu bombula

Sot policia e Korçës arrestoi pronarin e lokalit ku ndodhi shpërthimi, mbrëmjen e djeshme.

Policia bën me dije se Romario Muçka, 20 vjeç, banues në fshatin Dardhas – Pogradec u arrestua në flagrancë për veprat penale të  “Plagosjes së rëndë nga pakujdesia” dhe “Shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse  dhe  radioaktive”.

Mbi 30 persona kanë mbetur të plagosur, gjashtë prej tyre në gjëndje të rëndë, nga shpërthimi i një bombule gazi mbrëmjen e së hënës në fshatin Beragozhd të Pogradecit.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 17:40.

Gjithçka mendohet se erdhi nga shpërthimi i beftë i dy bombulave të gazit, që ishin vendosur në mes të ambientit për ngrohje.

Shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm sa të 30 personat që gjendeshin brenda ambienteve, shumica të rinj dhe adoleshentë, morën plagë të shumta në trup.

Mjekët e Pogradecit konfirmuan se shtatë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe ndodhen për trajtim më të specializuar në Tiranë, pasi kanë pësuar djegie të shumta dhe fraktura.

Më rëndë situata paraqitet për të plagosurit Ariol Fraholli, Florenc Fraholli, Agjërim Muçka, Drini Fraholli, Erion Pera, Klodian Dumani dhe Eri Hamolli.

Ndërkohë edhe të tjerët kanë shfaqur përkeqësim të shëndetit dhe pas marrjes së ndihmës së parë në urgjencën e spitalit të Pogradecit janë nisur drejt Tiranës.

Dy nga të plagosurit i dërguan menjëherë në reanimacionin e pavijonit të djegieve, pasi gjendja e tyre ishte më e rëndë.

Ata do të mbahen nën vëzhgim të pandërprerë, ndërsa burime nga mjekët e këtij spitali shprehen se plagët me djegie janë të vështira në trajtim dhe pacientët ndonëse janë në gjendje koshiente, përsëri nuk thuhet se e kanë kaluar rrezikun për jetën pasi djegiet shkaktojnë edhe me kalimin e kohëve dëmtime të organeve jetësore.

Ngjarja

Teksa ora shënonte rreth 17:40 minuta, brenda lokalit në pronësi të Romario Muçkës u dëgjua një shpërthim mjaft i fuqishëm, aq sa ka shkatërruar thuajse gjithçka nga ambientet e brendshme.

Shumica e të plagosurve kanë marrë disa dëmtime të lehta, ndërkohë gjendja e shtatë të tjerëve është e rëndë, kryesisht e personave që ishin më pranë bombulave të gazit.

Ndonëse të dhënat e para shprehen se bëhet fjalë për aktivizimin e bombulës së gazit, përsëri po kryhen hetimet e imtësishme për të shmangur çdo dyshim tjetër.

Fillimisht u dyshua se vetëm eksplozivi mund të sillte dëme të tilla, por nga dëshmia e të plagosurve dhe të dhënat e para hetimore, mendohet se këtë tragjedi e sollën dy bombulat e gazit.

Të dëmtuarit fillimisht u transportuan nga dy autoambulanca dhe mjete të tjera private të banorëve.

Gjendja në spitalin e qytetit të Pogradecit ishte mjaft e rëndë pasi përveç të dëmtuarve ndodheshin edhe shumë të afërm të tyre.

Mjekët konfirmuan se shumica kanë pësuar djegie të shkallës së dytë, ndërsa gjashtë të tjerë të shkallës së tretë dhe katërt dhe njëkohësisht edhe me dëmtime dhe hematoma të tjera të shkaktuara nga materialet e ngurta që u shpërndanë në të gjithë ambientin.

Reagimet

Në dispozicion të të dëmtuarve janë vënë jo vetëm autoambulancat e Pogradecit, por edhe të tjera të ardhura nga Korça dhe Tirana.

Në vendin e ngjarjes, përveç forcave të policisë, u nisën edhe efektivë të zjarrfikëseve të qytetit dhe inspektorë të kontrollit të gazit, që do të kryejnë hetimet në vendin e ngjarjes.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri vizitoi të plagosurit dhe pati angazhime të tjera duke kërkuar edhe ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Situata pas shpërthimit të bombulës ishte e rëndë, pasi pati shumë të plagosur të cilët u trajtuan menjëherë në spitalin e Pogradecit. Për nga numri që ishin, ishte e pamundur që ata të trajtohen në spitalin e Pogradecit dhe disa të lënduar rëndë janë nisur në drejtim të spitalit të Tiranës për arsye që kanë djegie të shumta. Gjashtë persona janë në shkallë më të rëndë, të cilët nuk mund të trajtoheshin këtu. Po shikohet mundësia që edhe persona të tjerë të dërgohen drejt Tiranës për arsye të pamundësisë së trajtimit të një numri kaq të madh personash në spitalin e Pogradecit”, -tha Kapri.

Sipas kryebashkiakut, nga të dhënat e para hetimore, dyshohet se ngjarja ndodhi nga një gjendje jo e mirë teknike e bombulës së gazit që ka shpërthyer në ambientin e brendshëm të lokalit ku ka bërë dhe plagosjen e njerëzve.

Tashmë gjithçka mbetet në pritje të përmirësimit të të lënduarve, ndonëse gjendja mbetet kritike për dy nga të plagosurit.

Kjo është ngjarja më e rëndë e ndodhur në muajt e fundit si pasojë e shpërthimit të bombulave të gazit.

Një problematikë kryesore në përdorimin e këtyre mjeteve për ngrohje dhe gatim, është se në treg janë shumë bombula të amortizuara dhe njëkohësisht mungon edhe kontrolli teknik nga ana e specialistëve.

SHKARKO APP