Arriti majat, por mbeti përherë qytetari i thjeshtë i Kuçovës që e rriti, historia e Selfo Kapllanit

Shkruar nga: Kejsi Demiraj

Kuçova, qyteti i naftës dhe i industrisë, ka nxjerrë breza të rinj të talentuar që kanë kontribuar në zhvillimin e tij. Një prej tyre është Selfo Kapllani, një figurë që ka lënë gjurmë jo vetëm në industrinë e naftës, por edhe në jetën publike të qytetit. Historia e tij është dëshmi e përpjekjeve, përgjegjësisë dhe lidhjes së thellë me vendlindjen.

Nëse i përmend vitet e para të jetës, Selfo kujton një fëmijëri të gjallë dhe të mbushur me aktivitete. “Mbaj mend që fëmijëria ime ka qenë shumë aktive,” tregon ai. Në lagjen ku u rrit, mbizotëronin familjet e klasës punëtore të industrisë së naftës. Shtëpitë e ndërtuara nga italianët që kishin jetuar aty më parë, u bënë strehë edhe për familjen e tij, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të jenë të banueshme edhe sot.

Swiss Digital Desktop Reklama

Teksa kthehet pas në kohë, Selfo kujton se shkollat ishin të mira, dhe aktivitetet jashtëshkollore të larmishme. Një vend i veçantë për zhvillimin e fëmijëve ishte Pallati i Pionierëve, ku ofroheshin kurse arti, kulture, muzikë, punime me dru dhe pirografi. Përveç aktiviteteve kulturore, fëmijët merrnin pjesë edhe në aktivitete sportive. “Me pak fjalë, ka qënë një fëmijëri shumë aktive,” thotë Selfo, duke kujtuar se si përmes lojërave dhe aktiviteteve të asaj kohe ai krijoi shoqërinë e tij, por patën ndikim gjithashtu në formimin e karakterit të tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Familja kishte një ndikim të madh në vendimet e rëndësishme që ka marrë në jetë. Babai i tij punonte në industrinë e naftës, një rrugë që kishin ndjekur shumë familje të qytetit. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, Selfo dhe shumica e shokëve të tij filluan studimet në Teknikumin e Naftës, një shkollë kombëtare që mësoi studentë nga e gjithë Shqipëria.

“Kjo ishte një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe,” tregon Selfo. Për të, periudha e shkollës së mesme nuk ishte thjesht një etapë arsimore, por një sfidë e madhe, pasi kërkohej mesatare mbi 8.5 për të vazhduar studimet e larta. Shumë nxënës nuk mund të vazhdonin për shkak të arsyeve ekonomike, dhe shpesh prindërit preferonin që fëmijët të punonin si teknikë të mesëm. Për Selfon, ky privilegj vinte me përgjegjësi të madhe dhe barrën e fortë që mbante mbi supe për të mos dështuar.

Selfo filloi karrierën si inxhinier në vitin 1988, në një periudhë kur industria e naftës po zhvillohej intensivisht. Fillimisht punoi në cprimim të puseve, një fushë teknologjike e veçantë dhe e pakëshilluar atëherë. Ai tregon se përveç njohurive të marra në universitet, eksperienca praktike e punës i dha aftësi të veçanta. Pas disa vitesh, ai u bë ekspert në këtë fushë dhe më pas u angazhua në administratën e ndërmarrjes, duke punuar më vonë në Fier si drejtues, shef departamenti teknik dhe drejtor i shërbimeve. Sot, ai ushtron detyrën e Drejtorit Teknik në kompaninë Albpetrol.

Selfo e përshkruan sistemin e naftës si një kompani të madhe me mbi 20,000 punonjës në fillim, një sistem korporativ të mbyllur që mbulonte projektimin e puseve, nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Pas ndarjes së kompanive në ARMO, AlbPetrol dhe Servcom, ai fitoi përvojë të gjerë në trajnime dhe projekte të specializuara, si shpimi i puseve me presione të larta dhe cimentime të thella, duke u bërë ekspert i njohur në fushën e tij.

Përveç karrierës profesionale, Selfo ka pasur një përvojë të veçantë në politikë dhe shërbim publik. Fillimisht si prefekt dhe më pas si kryetar bashkie, ai mori përsipër përgjegjësinë për zhvillimin e Kuçovës. Kandidatura e tij u motivua nga njohja e qytetit dhe dëshira për të kontribuar në zhvillimin e tij: “Nëse ne që jemi rritur këtu dhe njohim historinë e qytetit nuk marrim përgjegjësi, kush mund ta bëjë këtë?”

Gjatë mandatit në krye të pushtetit vendor, ai u përball me sfida të shumta në infrastrukturë dhe shërbime publike. Projekte të rëndësishme gajtë kohës së drejtimit të tij përfshijnë: krijimin e muzeut historik të naftës, rivitalizimin e lagjeve “11 Janari” dhe “1 Maj”, zhvillimin e Parkut Industrial të Naftës, dhe lidhjen rrugore të Kuçovës me Lumasin. Ai kujton se sfidat më të mëdha nuk ishin vetëm financiare, por edhe marrëdhëniet me qytetarët dhe sigurimi i shërbimeve cilësore: “Unë nuk mjaftohesha me pritjet zyrtare, por përballesha çdo ditë me qytetarët për problemet e tyre.”

Jeta familjare ka qenë mbështetje e madhe për Selfon. Bashkëshortja e tij, me të cilën është njohur që nga koha e shkollës, ka qenë mbështetja kryesore gjatë angazhimeve të tij politike dhe profesionale. Ai ka dy fëmijë të suksesshëm dhe përpiqet të jetë i përkushtuar ndaj tyre, duke respektuar zgjedhjet dhe aspiratat që kanë për të tashmen e të ardhmen.

Këshilla e tij për të rinjtë që duan të kontribuojnë në qytetin e tyre është e qartë: “Zgjidhni shkolla profesionale dhe profesione që kanë nevojë për punëtorë. Përveç teorisë, shkoni dhe praktikohuni. Kompania AlbPetrol ofron mundësi punësimi për studentët e inxhinierisë së naftës dhe kjo është një mundësi e madhe për të filluar karrierën.”

Edhe pas largimit nga detyrat publike, Selfo vazhdon të jetë aktiv në jetën profesionale dhe komunitetin e Kuçovës. Ai punon si drejtor Teknik në AlbPetrol dhe përpiqet të mbajë lidhjet me miqtë dhe komunitetin lokal. Megjithëse nuk ka ambicie për rikthim në politikë, ai është gjithmonë i gatshëm të japë kontributin e tij ku mundet: “Jam krenar që jetoj në Kuçovë dhe mund të kontribuoj aty ku mundem.”

Historia e Selfo Kapllanit shkon përtej rrëfimit për karrierën e gjatë në industrinë e naftës apo për një mandat në shërbim të qytetit. Ai mishëron historinë e një djali të thjeshtë të Kuçovës që u rrit mes punëtorëve dhe fëmijëve aktivë të lagjeve të naftëtarëve, dhe që sot vazhdon të mbetet i lidhur fort me rrënjët e tij.

Kuçova ka ndryshuar, industria gjithashtu, por figura të tilla si Selfo Kapllani tregojnë se qyteti vazhdon të ketë njerëz që e mbajnë gjallë me punë, me kujtime dhe mbi të gjitha përgjegjësi.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?