Arriti të hynte në serverat e SHISH, 15-vjeçari i prekur nga autizmi

Një 15-vjeçar nga Vlora ka arritur të hyjë në serverat e disa institucioneve shtetërore të rëndësishme, përfshirë Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH) dhe Parlamentin e Shqipërisë. I mituri, i cili është i prekur nga çrregullimi i spektrit të autizmit, është tashmë nën hetim për akses të paautorizuar në sistemet kompjuterike të këtyre institucioneve.
Mësohet se hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që pas veprimeve të tij të ketë pasur ndikim apo ndihmë nga persona të tjerë.
Autoritetet bëjnë me dije se nga ndërhyrjet e tij nuk janë marrë të dhëna konfidenciale, por sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të përkohshme të funksionimit të disa sistemeve shtetërore gjatë muajit mars.
Pas një muaji hetimesh, i mituri është identifikuar dhe ndaj tij janë ndërmarrë masa hetimore. Gjatë operacionit, Policia ka sekuestruar disa pajisje elektronike, përfshirë 5 laptopë, 6 celularë dhe një dron, të cilat do t’i nënshtrohen analizave të detajuara.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse 15-vjeçari ka vepruar i vetëm apo ka pasur mbështetje nga persona të tjerë.