ARRSH hap aplikimet për praktika të paguara për studentët e inxhinierisë
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur aplikimet për programin e praktikës profesionale të paguar, një iniciativë që synon të promovojë përfshirjen e studentëve të shkencave inxhinierike në zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se afati për aplikim është i hapur deri më 17 tetor, duke e cilësuar këtë një mundësi të vlefshme për studentët dhe të sapo diplomuarit e vitit të fundit në fushën e inxhinierisë.
“Ky program krijon hapësira për profesionistë të rinj dhe u ofron studentëve një eksperiencë të çmuar praktike në fushën e tyre, duke i përgatitur për sfidat reale të zhvillimit të infrastrukturës,” theksoi Balluku në komunikimin e saj publik.
Ky program vjen si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, me qëllim mbështetjen dhe aftësimin profesional të studentëve përmes praktikave të paguara.
Sipas marrëveshjes, në fazën e parë do të përfshihen 10 studentë me kohë të plotë në institucionet dhe sektorët e ARRSH-së, ndërsa faza e dytë do të përfshijë 15 studentë të tjerë. Praktika do të zgjasë 6 muaj për të diplomuarit dhe 3 muaj për studentët e vitit të fundit, në përputhje me kurrikulën universitarë.
Studentët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorë të ndryshëm të ARRSH-së dhe do të zhvillojnë vizita të rregullta në terren, duke u njohur drejtpërdrejt me proceset e zhvillimit të infrastrukturës rrugore, përfshirë ndërtimin e urave, tuneleve dhe segmenteve të reja rrugore.
Ky program shërben si një urë lidhëse mes arsimimit dhe tregut të punës, duke kontribuar në përgatitjen e brezit të ardhshëm të inxhinierëve që do të mbajnë në duar zhvillimin e infrastrukturës shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

