ARRSH informon për situatën më të fundit nga moti i keq

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dalë me komunikatën më të fundit për situatën e krijuar nga moti i keq në vendin tonë, sidomos në zonën veriore dhe atë juglindore.

Kështu, gjatë orëve të fundit ka pasur reshje bore dhe në akset e Dajtit, por mjetet borëpastruese ndodhen në terren dhe aktualisht qarkullimi i mjeteve vijon pa asnjë problem.

Në Përrenjas-Librazhd, në Xhyrë, si pasojë e reshjeve shoqëruar me erë të fortë ka pasur rënie të një peme në trup të rrugës, e cila është hequr menjëherë.

Situata më e rënduar paraqitet në rajonin verior ku reshjet e borës kanë vijuar me intensitet teksa grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rruges dhe shpërndarjen e kripës,

Në Bypass-in e Qafë Murrizit për shkak të reshjeve të shumta të dëborës shoqëruar me stuhi dhe përdoruesve të mjeteve që nuk janë pajisur me goma dimri apo zinxhir kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve, por edhe të borëpastruesve. Po punohet për spostimin e mjeteve nga trupi i rrugës për të lejuar borëpastrueset të vijojnë me pastrimin e rrugës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

SHKARKO APP