ARRSH tregon gjendjen e rrugëve: Në këtë zonë trashësia e dëborës arrin në 50 cm
Në zonat malore të vendit ka reshje intensive të dëborës. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në disa zona si në Qafë Mali, trashësia e dëborës arrin deri në 50 centimetra.
“Në aksin malor Vaudejes-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore, ku në Qafë Mali arrijnë deri në trashësi 40-50cm. Në terren po punohet me 4 borëpastruese, qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, sidomos në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi ka erë të fortë që e përhap borën nga bankina në rrugë, duke sjellë edhe prezencë të orteqeve, çka vështirëson punën e borëpastrueseve.
Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve si dhe shmangia e këtyre akseve nga drejtuesit e mjeteve deri në qetësimin e situatë”, thuhet në njoftim.
Sipas IGJEUM, sot pasdite priten reshje mesatare në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër të shoqëruara me shtrëngata. Në qarqet Lezhë dhe Durrës priten reshje lokalisht mesatare, ndërsa në pjesën tjetër të qarqeve priten reshje të dobëta.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Reshjet do të sjellin rritje të prurjeve në lumenjtë Ishëm dhe Shkumbin.
Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Nesër në juglindje reshjet priten të jenë në formën e dëborës, ndërsa në pjesën tjetër të territorit nuk priten reshje (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).