Arsimi, sektori më pak i financuar
Arsimi është një ndër sektorët më pak të financuar në vendin tonë. Para viteve ’90, Shqipëria financonte më shumë se 4-5 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar së saj për sektorin e arsimit, një nivel ky ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD të jepnin në atë kohë, përgjatë viteve të transicionit sektori është financuar më pak se 3 % të PBB-së. Një nivel gati 40 % më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20 % më pak se financimet që japin vendet e rajonit.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2019 sektori u financua me 3.3% të PBB-së, një nivel i njëjtë me atë të vitit 2013 kur socialistët erdhën në pushtet. Ky është edhe financimi më i madh i bërë në 7 vitet e fundit për arsimin. Ne renditemi të fundit në rajon për shpenzimet dedikuar arsimit. Në vendet e tjera të Ballkanit ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së.
Duke u tkurrur kanë ardhur edhe shpenzimet që familjet shqiptare kanë bërë për arsimin. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2016, në buxhetet familjare shpenzimet për arsim zinin 4.4% të buxhetit familjar, teksa zbritën në 3.9% në vitin 2017 dhe në 3% në vitin 2018.
Financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat e varfra të popullsisë, të cilat buxhetet i përdorin kryesisht për ushqim dhe nuk kanë mundësi të tjera për të arsimuar fëmijët.