Arta Marku rikthen tek Krimet e Rënda prokurorin Anton Martini
Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku vijon të kryejë ndryshime me qëllim që të riorganizojë prokuroritë që ka nën drejtim.
Sipas informacioneve, ajo ka vendosur që drejtuesin e Prokurorisë së Shkodrës, Anton Martini ta rikthejë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ai e ka drejtuar organin e akuzës të Shkodrës prej gjashtë muajsh, ndërsa tani vendin e tij do ta zërë prokurori Ylli Pjetërnikaj.
Ky i fundit më herët ka mbajtur detyrën e ndihmësit ligjor në Prokurorinë e Përgjithshme. Ditën e sotme pritet që të bëhet prezantimi i prokurorit Pjetërnikaj në Shkodër, ndërsa përflitet që Anton Martinit tek Krimet e Rënda do t’i besohet një dosje hetimore e rëndësishme dhe për këtë arsye është bërë edhe kjo lëvizje.
Megjithatë, mbetet për tu parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë. Sakaq, kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që kryeprokurorja Arta Marku kryen lëvizje tek vartësit e saj. Risjellim në vëmendjen që vetëm pak ditë më parë ajo largoi nga detyra kryetarin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, duke e zëvendësuar me kryeprokuroren e Durrësit, Donika Prela.
Po ashtu para pak kohësh Marku tronditi 4 prokurori rajonale, 3 prej të cilave ndër më kryesoret në vend. Ajo largoi nga detyra Dritan Gina, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Ai u kthye në Prokurorinë e Tiranës, ku dhe është i emëruar.
Drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, u caktua prokurori, Ardjan Nezha. Një tjetër lëvizje ka ndodhur në Prokurorinë e Fierit.
Pali Deçolli, i cili drejtoi deri më tani këtë institucion, është larguar nga funksioni dhe kthehet si zv/drejtues në po të njëjtën prokurori, ku edhe është emëruar nga Adriatik Llalla. Në vend të tij është komanduar Fatmir Lushi.
Më tej, Artur Ismailukaj, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, iu ndërpre komandimi dhe u kthye si prokuror në Prokurorinë e Tropojës, ku është i emëruar; Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, është caktuar Alketa Nushi. Largimit nuk i ka shpëtuar dhe Agron Gjana, i cili ka drejtuar Prokurorinë e Durrësit.
KOHA JONË SONDAZH

