Artan Fuga denoncon skandalet financiare në Akademinë e Shkencave
Nga Artan Fuga
Cikël shkrimesh denoncuese
Sh(përdorimi) i fondeve për botimet
Akademia e Shkencave e Shqipërisë rreziston me kokëfortësi ndaj proçesit të reformimit për shkak të një grupi brenda saj që i imponohet në mënyrë të paligjshme asamblesë dhe të gjithë opinionit publik, shtetit në përgjithësi.
Modeli i saj i dështuar institucional, administrimi i saj me paaftësi nga kryesia, heshtja e pafalshme e akademikëve ndaj kalbëzimit të institucionit kanë sjellë edhe një shpërdorim të parasë publike, çka bën të lindin dyshime, të cilat vetëm organet e specializuara kanë për detyrë dhe kompetencë t’i analizojnë në hollësi dhe thellësi. Këtu është vetëm maja e ajsbergut !
Dështimi i turpshëm i këtij modeli, të cilin grupi i punës i Akademisë për gjoja-reformim na e risjell duke e serivur në tabaka për qeverinë si një gjellë e re, (në fakt, mbeturinë e gostisë me dehje të të gjithë këtyre viteve), duket qartazi edhe në treguesit financiarë të buxhe tit të përdorur në vitet e fundit për botimet që ka Akademia e Shkencave ka bërë.
Këto të dhëna i kemi marrë zyrtarisht në shërbimet financiare të Akademisë të Shkencave pas kërkesave të përsëritura dhe kushedi sakohë të vonuara. Më konkretisht, u referohemi të dhënave financiare që lidhen me paranë publike të sh(përdorur) për botimet e Akademisë të Shkencave përgjatë periudhës që përmbledh katër vite, pra 2014 – 2018.
Analiza e tyre vendos përpara përgjegjësisë etike, administrative, ndofta edhe ligjore, si kryesinë që ka ushtruar mandatin e saj përgjatë kësaj periudhe, si veçanërisht Sekretarin e saj Shkencor, ashtu edhe ndonjerin nga antarët e Këshillit Ekzekutiv dhe ndonjerin nga drejtuesit e seksioneve të Akademisë të Shkencave. Gjithashtu, e gjithë asambleja e kësaj akademie mbetet me përgjegjësi etike dhe shkencore për heshtjen e vet, pra për memecllikun shkencor dhe administrativ të saj.
Por le të shohim faktet !
– Shpërndarje e privilegjuar e fondeve financiare
Detyra më parësore, ndofta e vetme, e Akademisë të Shkencave përgjatë mandatit të marrë në shqyrtim, ka qenë që me anë të botimeve të saj të promovojë arritjet më të mira të mendimit teorik dhe kulturor shqiptar të traditës dhe arritjet shkencore të tij. Kjo do të kërkonte që strategjia e përzgjedhjes të veprave që do të duhej të botoheshin, të kalonte medoemos për aprovim në mbledhjet e asamblesë ose të paktën të seksioneve të saj. Por, kryesia e Akademisë të Shkencave e ka injoruar këtë detyrim që do të shënonte një menaxhim të pranueshëm të fondeve publike që merren nga taksat e qytetarëve për buxhetin publik dhe që në periudhën e shqyrtuar shkon në mbi 400 milionë lekë të vjetra. Një shumë që do ta kishte pasur zili çdo shtëpi botuese private.
Diagrama e mëposhtëme do të na tregojë një lloj shpërndarje që dëshmon se në vend që të përdoret sipas prioriteteve, apo sipas një strategjie të aprovuar cdo vit, kjo shumë përdoret kuturu nga një Këshill Botimesh që kontrollohet me dorë të hekurt nga Kryesia dhe Këshilli Ekzekutiv i Akademisë të Shkencave, i cili bën njëherësh, dëgjojeni mirë, edhe tenderat financiare për botimet etj.

Nga tabela e mësipërme vihet re që rreth gjysma e buxhetit të majmë të përdorur për botime në periudhën katërvjeçare 2014 – 2018 të marrë në shqyrtim, sipas përllogaritjeve tona bazuar në dokumente financiare zyrtare, është përdorur për të botuar punime shkencore të punonjësve shkencorë që punojnë në agjenci të tjera shkencore të vendit, ose për punime që u kushtohen tematikave që mbulohen nga këta institute ose agjenci të tjera shkencore.
Pra, është fjala për 51 % të këtij buxheti.
Dikush që nuk është marrë me administrimin e financave për kërkimin shkencor mund të mbledhi supet dhe të pyesi : Ku është problemi këtu ?
Po shpjegohemi. Si do të ishte më e udhës dhe do të përbënte një menaxhim të arsyeshëm profesional ? Këto para publike t’u viheshin në dispozicion këtyre instituteve shkencore të specializuara në fushat ku janë bërë këto botime apo këto parà publike të përdoreshin subjektivisht nga Akademia e Shkencave ? Sigurisht do të kishte qenë e udhës që paratë për botimet që i kushtohen gjuhësisë të administroheshin nga instituti i gjuhësisë, dhe jo nga Akademia e Shkencave që në asamble ka vetëm 1 anëtar gjuhëtar ! Paratë për botimet nga fusha e historisë të menaxhoheshin nga Instituti i historisë dhe jo nga Akademia, e cila në asamblenë e saj nuk ka më shumë se dy historianë. Pratë për botimet kushtuar tematikave të procesit letrar t’u akordoheshin Institutit të gjuhës dhe letërsisë dhe jo Akademisë të Shkencave, e cila në asamble ka vetëm një studiuese të letërsisë.
Në vend që këto botime, (vlera e të cilave nuk mund të diskutohet këtu meqë është jashtë kompetencave tona), të debatoheshin, të gjykoheshin sesa prioritare do të ishin për botim, të krijohej një strategji afatgjatë e menduar mirë për botimin e tyre në qendrat shkencore të specializuara, – për to – vendos një Këshill Botues NÊ Akademinê e Shkencave, i cili heterogjen sikurse është, sigurisht që nuk mund të gjykojë profesionalisht as një strategji dhe as një politikë botimesh në fusha të specializuara.
Mund të mendohet se mos Akademia e Shkencave ka bërë konsultime të gjera për strategjinë e botimeve të saj në fusha të specializuara kërkimesh shkencore me institute shkencore, me fakultete ose me departamente ; se mos e ka bërë ndonjëherë këtë strategji objekt të mbledhjeve të asamblesë të saj, – e kotë. As që bëhet fjalë.
Akademia e Shkencave edhe në botime, sikurse edhe në raportimin e rezultateve të kërkimit shkencor, jo vetëm keqmenaxhon në mënyrë abuzive paranë publike që do të duhej të administrohej nga agjenci shkencore të specializuara, por edhe bën botime për të cilat ajo nuk ka kompetencën shkencore për të gjykuar nëse ato duhet ose jo të mbajnë vulën e logos të saj.
Arësyeja është sepse Akademia e Shkencave edhe në dokumentet e veta zyrtare ende kujton se ka në varësi institutet shkencore, ose ka ëndërruar se i ka pasur ata në varësi, çka nuk përkon fare me realitetin institucional dhe administrativ të pejsazhit të agjencive të kërkimit shkencor të vendit. Grandomania nga e cila vuan edhe modeli gjoja-reformues i grupit zyrtar të punës ka bërë që Akademia e Shkencave të mos japi prej vitesh asnjë vlerë të shtuar themelore në kërkimin shkencor në vend. Vetëm uzurpon me një delir dhe mëndjemadhësi të pashoqe vendimmarrjen për suvencionimin e punës shkencore, që do të duhej t’u kishte takuar qindra punonjësve shkencorë dhe universitarë në vend.
Por, nuk është se përtej kësaj grandomanie për të pasur nën menaxhim fonde të majme publike të rrëmbyera nga agjencitë e specializuara shkencore, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk ka persona të interesuar, që prej kësaj politike të mbrapshtë të mos nxjerrin privilegje dhe parà për të subvencionuar punën e tyre.
Nga tabela e paraqitur më lart del se 23% e fondeve për botime, pra rreth një e katërta e tyre për periudhën 2014 – 2017, pra për katër vjet radhazi, janë përdorur për të subvencionuar antëtarë të kryesisë të Akademisë të Shkencave, antarë aktualë ose edhe të dikurshëm që nuk i ndahen vjeljes të privilegjuar të fondeve edhe sot e kësaj dite.
Po kështu përllogaritjet tona, mbështetur në të dhëna zyrtare të zyrës të financës të Akademisë të Shkencave, dëshmojnë që për të njejtën periudhë, 21% e fondeve të përdorura për botimet kanë shkuar për të financuar punën dhe botimin e akademikëve që punojnë në administratën e Akademisë të Shkencave. Pa pyetur asamblenë, duke anashkaluar seksionet, duke iu imponuar me konflikt interesi Këshillit të Botimeve, akademikët që punojnë në administratën e Akademisë të Shkencave, kanë futur duart e tyre në thesin e buxhetit të Akademisë dhe kanë privilegjuar si pa të keq veten e tyre.
Madje sipas tabelës rezulton që 10% e buxhetit në fjalë është përdorur për botimet e kryesisë të Akademisë të Shkencave që ka ushtruar mandatin drejtues të viteve të fundit.
Shtrohet pyetja djegëse: Këta akademikë të burokracisë ku e kanë gjetur të drejtën për të privilegjuar veten e tyre?
Ja e dhëna që na ka rezultuar: Kryesia e Akademisë të Shkencave e përbërë prej tre vetësh harxhon për botimet e veta 10% të buxhetit të përdorur për botimet ; kurse pjesa tjetër e akademikëve, e përbërë prej 30 a 40 personash harxhon jo më shumë sesa 28% të këtij buxheti. Kryesia e Akademisë të Shkencave , njeri nga anëtarët e Këshillit Ekzekutiv dhe sekretarët teknikë të seksioneve, gjashtë persona, harxhojnë për këtë periudhë për të subvencionuar botimet e veta 20% të buxhetit të botimeve, kurse akademikët e tjerë, 30 – 40 persona, harxhojnë vetëm 28% të këtij buxheti.
Shpërpjestime uluritëse që tregojnë sesi administrohet paraja publike në Akademinë e Shkencave që na paraqet si model të ardhshëm të saj, pikërisht këtë model të kalbur keqadministrimi egoist.
A është çudi pastaj se përse disa individë bëjnë çmos për të qenë në drejtimpin e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë dhe nuk i ndahen luftës karrieriste për poste drejtuese atje?
Kjo është arsyeja, besoj, se përse Akademia e Shkencave e Shqipërisë vazhdon të ketë grandomaninë qesharake që t’u imponohet instituteve të kërkimit shkencor dhe botës universitare. Nga njera anë shperndan fonde sipas vendimeve subjektive të grupit drejtues të saj, dhe nga ana tjetër, ky grup përdor fondet duke privilegjuar veten e vet !
Dhe të mos harrojmë që në krye të këtij përdorimi egoist të parasë publike për vetë-promocionin e botimeve personale, në krye të listës, qendron në këta katër vjet vetë Sekretari Shkencor i Akademisë të Shkencave. Po t’u referohemi burimeve zyrtare, ai rezulton me 3 tituj të botuar – nuk dihet sesi të gjykuar si studime akademike prioritare – dhe nga kush të gjykuar sepse në atë fushë në Akademinë e Shkencave është vetëm ai që punon – dhe me një subvencion nga buxheti publik për botimet prej mbi 12 milonë lekësh të vjetra, përftuar në katër vjet !
Por të ishte vetëm kaq do të ishte gjysma e skandalit financiar keqmenaxhues të Akademisë të Shkencave.
– Investime për botime të mbetura stok
Le të shqyrtojmë pak se çfarë mësojmë nga të dhëna të tjera, sipas përllogaritjeve tona, mbështetur në të dhënat zyrtare të shërbimeve financiare të Akademisë të Shkencave.
Të shohim se ku shkojnë kopjet e librave të botuar për të cilët harxhohen fonde financiare të majme që do t’i kishte pasur zili cdo shtëpi botuese private !
Të dhënat tregojnë se nga 11. 950 kopje librash që janë botuar, (të paktën sipas asaj që rezulton në letër, sepse kjo do të investigohet më pas), pas një periudhe nga 1 deri në 3 vjet prej ditës të botimit, del se janë shitur ose shpërndarë 1.563 kopje prej tyre. Pra 1.563 kopje të shitura ose të shërndara nga 11.950 kopje të shtypura !!!

Pra, nga titujt e botuar për periudhën trevjeçare të marrë këtu në konsideratë, vetëm 13% e tyre janë shitur ose shpërndarë, kurse 87% e kopjeve duhet të jenë stok në magazinat e Akademisë të Shkencave. Ende nuk i kemi hyrë pyetjes se ku janë këto magazina stoku dhe çfarë bëhet, si ruhen, dhe ku janë 10 mijë kopje librash të pashitur ose shpërndarë si gjendje fizike !!! Nevoja e një inventari kopje për kopje e titull për titull imponohet vetiu !
Por le të analizojmë të dhënat zyrtare mesa më shumë objektivitet !
Eshtë marrë në konsideratë periudha trevjeçare 2014 – 2016 sepse është konsideruar që në çastin kur janë marrë të dhënat financiare te të cilat referohemi, pra në vitin 2018, qarkullimi i librave të botuar në vitin 2017 ende mbase nuk kishte marrë pamje të plotë. Por, theksojmë që në momentin që kanë dalë të dhënat e mësipërme, pra në fillim të vitit 2018,, shpërndarja e librit botuar në vitin 2017 ishte në tregues katastrofikë. Gjithsesi le t’a lemë mënjanë përkohësisht vitin 2017.
Kur flitet për faktin që vetëm 13% të kopjeve janë qarkulluar ; bëhet fjalë për shitjet, por jo vetëm për to. Por, edhe për dhënien e tyre falas në këtë apo atë masë. Edhe këtë tregues t’a lemë mënjanë përkohësisht. Kush vendos për dhënien e kopjeve të librave falas ! ? Ku kanë shkuar librat e dhënë falas? Në duart e kujt janë vendosur ? A ka proces-verbale për to në zyrat e financave apo të Këshillit EkZekutiv apo të Këshillit të Botimeve ? Kjo çështje duhet parë në një moment të dytë nga organet e specializuara !
Problemi që do të interpretohet këtu ka të bëjë me pyetjen : Si është e mundur që e gjithë kjo parà publike që harxhohet nga Akademia e Shkencave për botimet financon një dije e informacion që mbeten të paqarkulluar ? Pra, është një dije e informacion që nuk shkon te publiku. Mbetet në gjendje stoku. Kjo dëshmon se është një parà publike e investuar pa efikasitet. Në këtë kuptim, ajo është e abuzuar dhe e keqpërdorur. Kjo gjendje ve përpara përgjegjësisë financiare kryesinë e Akademisë të Shkencave, Sekretarin shkencor të saj, administratën e Akademisë të Shkencave dhe veçanërisht shërbimet financiare të saj.
Kujt i duhen libra të botuar që nuk shkojnë te lexuesi ?
A nuk është një financim i cuar dëm ?! Sigurisht dhe plotësisht !
Kjo na le të dyshojmë me arsye që midis faktit që botohen libra që nuk shiten dhe faktit që Akademia e Shkencave boton libra e vepra shkencore për të cilat nuk ka kompetencë të gjykojë, ka një lidhje të brendshme. Faktet tregojnë që financimi i punës shkencore shkon jo për të çuar dijet te lexuesi ose që interesojnë lexuesin, por në shumë raste te prioritete subjektive të tjera.
Nuk mund të mos sjellim përpara lexuesit preteksin që përdorin prej kohësh në Akademinë e Shkencave dhe prapa të cilit përpiqen të fshihen për këtë abuzim të madh me paranë publike: Librat që botohen kanë qarkullim të ngadaltë për arsye gjoja se janë vepra shkencore madhore që nuk kanë shumë lexues ! Dobia e tyre gjoja nuk matet me shitjet, por me faktin se botohen pasuri shkencore kombêtare !!!
Përdorimi i këtij argumenti tregon veç faktin sesa larg janë drejtuesit e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë nga politikat e sotme të botimit dhe të shërndarjes, edhe se çfarë argumenti qesharak mund të jepet prej tyre për të justifikuar abuzimin me paranë publike.
Duhet njohur se ka vepra të botuara që vërtetë specialistët thonë që përmbajnë rezultate të pasura shkencore. Por, kjo nuk mjafton për të legjitimuar mungesën e shitjeve në librat që boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
E para sepse askush nuk e detyron botuesin të botojë një vepër shkencore në 400 kopje kur dihet se ajo nuk ka pasur shitje veçse në disa kopje. Në kushtet kur sot mund të shtypet një libër edhe në një kopje të vetme sipas kërkesës, shtypja në 400 kopje e librave që mbesin pa shitur është një shpërdorim i pastër i parasë publike për të cilën duhet të mbajnë përgjegjësi ata që janë ngarkuar me botimet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
E dyta, me teknologjinë e sotme, mund të botohen këto vepra madhore si e-libër, pra në formën numerike dhe të ruhen e përdoren për bukuri dhe me fare pak shpenzime.
E treta, kur provon të shohësh ndonjë dokument analize të segmenteve të publikut të mundshëm për çdo titull të marrë në shqyrtim në Këshillin e Botimeve, atje nuk gjen asgjë të tillë të dokumentuar! Si mundesh të botosh një libër, qoftë edhe vepër e rëndësishme shkencore, pa bërë më parë një analizë marketingu të tregut, pra të publikut të interesuar për të?
Asnjë shtëpi botuese nuk do t’ja kishte lejuar vetes së vetë këtë. Por ? Akademia e Shkencave ia lejon vetes sepse duket që drejtuesit e saj i kanë përdorur në këtë pikë paratë si mall pa zot !
Por, a është e vërtetë që librat e botuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk shiten meqë janë vepra madhore shkencore ? Po të shohim titujt e botuar në periudhën katërvjeçare të marrë në konsideratë përgjatë viteve 2014 – 2018, del se veç veprave vërtet madhore (që do të duhej të ishin botuar nga insitute shkencore të specializuara), ka edhe libra të tjerë që nuk janë as më shumë e as më pak veçse botime si të gjitha të tjerat nga ato që botojnë pa fund shtëpitë botuese private. Nga të dhënat zyrtare të zyrës të financës të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë rezultojnë të dhëna që na japin një tabelë si më poshtë :

Akademia e Shkencave e Shqipërisë pothuajse e ka braktisur kujdesin për botimin e veprave madhore të korifejve të kulturës shqiptare të së kaluarës përpara Luftës të Dytë botërore. Pyetja e madhe dhe shqetësuese është se përse kjo braktisje e madhe ? Për arsye ideologjike ? Apo për kritere financiare sepse aty nuk ka kush përfiton ? Nuk dihet ! Vetëm 7% e titujve i përkasin kësaj tematike. 22% i takojnë titujve që sjellin mendimin dhe rezultatet shkencore të studjuesve të periudhës të socializmit. Nuk mungojnë rastet kur këto botime i kanë punuar familjarët e shkencëtarëve që kanë ndërruar jetë !!!Kurse mbi 70% e titujve janë tituj librash sikurse çdo shtëpi botuese private sot boton në rutinën e vet të marketingut të zakonshëm. Fare të zakonshëm.
Edhe këta titujt kanë qarkullim të paqenë ?
Kush na ka detyruar të botojmë një studim për « Hymnin Kombëtar » në 400 kopje ? Kush na detyron të botojmë një libër me titullin pa profesionalizëm « Cështje juridike shoqërore » në 400 kopje dhe të harxhohen për të paguar autorin e tij me më shumë se 11 milionë lekë të vjetra ? Kush na detyron të botojmë në 400 kopje nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë një libër me titull « Këngët partizane » ? Kush na detyron të botojmë në 400 kopje një libër për hapësirën bregdetare Divjakë – Karavasta, sado i vlefshëm të jetë në përmbajtje ? Kush na detyron të botojmë në 400 kopje librin me titull Hieronimi : në botën arbëreshe e kështu me radhë?
Kush i mbush botimet me qindra e mijra faqe meqë paguhet sipas faqeve daktilografike !!! Sa më shumë faqe aq më e madhe pagesa !!!
Kush i bën këto politika ? Këtu konflikti i interesit është i dukshëm, por për këtë do të flitet në vazhdim të këtij cikli shkrimesh. Kështu ndodh kur kryesia e Akademisë të Shkencave, Këshilli i saj Ekzekutiv, Komisioni i tenderimeve, Këshilli Botues, vërtitet rreth të njejtit grup njerëzish që e kanë kapur rob Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ! Këtë model na paraqet edhe grupi i punës i saj për gjoja-reformën !!!
– Kosto efektive stratosferike e produktit
Dhe meqë kopjet e botuara nuk shiten, treguesit financiarë të botimeve të Akademisë – veprimtari nga më kryesoret e saj – kanë arritur në kufijtë e mitologjisë, të komedisë dhe të budallallikut njëkohësisht !
Jo më kot kam thënë se Akademia e Shkencave e Shqipërisë është çmendur. Çmenduria e saj si institucion lidhet me faktin se veprimtaria e saj, në këtë rast botuese, por jo vetëm, ka dalë jashtë nga çdo parametër i arsyeshëm.
Pa marrë parasysh botimet e vitit 2017, të cilët do t’a përkeqësonin shumë rëndë tablonë financiare, por duke konsideruar vetëm botimet e bëra për periudhën trevjeçare 2014 – 2016, rezulton se kostoja efektive e një kopjeje libri të botuar nga Akademia e Shkencave, kopje e shitur dhe ose e shpërndarë, arrin në nivele stratosferike. Ja tabela që e tregon këtë vizualisht :

Nga analiza e vetëm 21 titujve që kanë kopje të shitura ose të shpërndara, përllogaritur nga ne sipas të dhënave të zyrës të financës të Akademisë të Shkencave, (pra duke lënë mënjanë ato botime që nuk kanë asnjë kopje të shitur – çka po të merrej parasysh do t’a shumëfishonte koston reale efektive për një kopje libri) del se mesatarisht kjo kosto shkon në më shumë se 300.000 lekë të vjetër pêr një kopje libri të shitur deritani !!!
Cila shtëpi botuese në Europë do t’ia lejonte vetes këtë luks ?
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ja lejon vetes !
Ta gjejë Kontrolli i Lartë i Shtetit se përse ja lejon !
Ta gjejë ministria e financave se përse ja lejon !
Ta gjejë Asambleja e Akademisë të Shkencave se përse ia lejon !
Ta gjejë ministria e arësimit se përse ja lejon !
Po të dojë edhe Prokuroria !
Dhe duhet thënëse është një shifër mesatare. Nuk flitet për majat se ku arrin kjo kosto efektive për një kopje libri të shitur.
300.000 lekë të vjetra kostoja e një libri që mesatarisht e ka çmimin 10.000 të vjetra. Pra kemi një kosto efektive reale mesatare rreth 30 herë më e lartë sesa çmimi në treg ! Imagjinoni të bleni një aparat televizori që koston 600 euro për vetëm 20 euro.
Ka bir nane a babe që e pranon këtë abuzim !
Me aq lekë edhe sikur shkrimet origjinale të Budës, Konfucit, Zarathustrës të ishin nuk do të kushtonin aq shumë ! Imagjinoni janë nkë pjesë libra që nuk i do njeri !
Këtu ka çuar abuzimi prej politikave të mbrapshta, prej një modeli të mbrapshtë administrativ, prej një pozicioni të mbrapsht në pejsazhin e agjencive shkencore që ka zënë e nuk e lëshon Akademia e Shkencave e Shqipërisë !
Grupi drejtues i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë nuk dëshiron të dëgjojë se me politikën që ka ndjekur ka dëmtuar paranë publike si edhe politikat shkencore. Është e qartë se ai nuk ka më veshë më të dëgjuar. E kotë të merresh me të !
Përgjegjësi të rëndë ka në çdo aspekt vetë administrata e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë që duhet të japi llogari për keqmenaxhimin e parasë publike dhe ortakërinë në këtë politikë të papranueshme.
Po a ka veshë ministria e financave, ministria e arësimit, kontrolli i lartë i shtetit, kryeministri, të cilët duhet menjëherë të ndërhyjnë për t’i dhënë fund këtyre skandaleve duke vendosur kontrollin dhe auditin e vërtetë mbi këtë agjenci që administrohet si mall pa Zot?
KOHA JONË SONDAZH

