Artan Fuga i drejtohet Shahinit: E ke llogaritur sa mund të vdesin nëse zbatohet vendimi për rikthimin e studentëve në auditore
Akademiku dhe Profesori Artan Fuga është shfaqur sërish kritik ndaj vendimit të ministres së Arsimit, Besa Shahini për rihapjen e universiteteve dhe kthimit të studentëve në auditore sipas datave të dhëna.
Fuga thotë se ky është një vendim i pakonsultuar dhe i papërgjegjshëm që vulos tradhëtinë e madhe të shtetit ndaj rinisë studentore, arsimin universitar, shkencës, pedagogëve, intelektualëve dhe artistëve.
Statusi i plotë i Artan Fugës
Me vendimin e pabazuar, e pakonsultuar, e papërgjegjshëm të hapjes të universiteteve pavarësisht gjendjes të pandemisë vrastare, Besa Shahini vulosi atë tradhëti të madhe që shteti u ka bërë rinisë studentore, arsimin universitar, shkencësh në Shqipëri, pedagogëve dhe përgjithësisht intelektualëve dhe artistëve!
Pyetja ime është : E ka llogaritur sesa prej tyre mund të vdesin nëse ky vendim vihet në jetë pa pasur parasysh gjendjen virusologjike të vendit?
Pyetja ime është : A ka rektor dhe dekan që do të kishte guximin të merrte përsipër këtë vrasje të mundëshme masive duke pretenduar që do të kishte marrë masat sanitare, higjenike, dizenfektuese, sikurse ja u lë “kopilin në derë” ministria e arsimit?
Pyetja ime është : Nëse kjo ndodh, a nuk do të ishte një vrasje masive e paralajmëruar që do të duhej të parashikohej kështu në kodin penal si përgjegjësi e administratorit publik për shëndetin publik?