Artan Fuga: Po, Tirana është një hale e madhe

Ka shkaktuar shumë debate një shkrim i djeshëm i Artan Fugës, që e konsideronte Tiranën si një hale. Ai thotë se nuk ka ndërmend të kërkojë falje për këtë etiketim, pasi ky është realiteti.

“Kur thashë se Tirana është një haaaaale e madhe, nuk bëra asnjë gabim kuptimor, por përsëri fola e shkruajta në mënyrë jo delikate. E pranoj. Ndjesë. Por, gjithçka u bë si një teknikë komunikimi me qytetarët e shumtë. Gjuha e qytetarit masiv dhe gjuha e komunikimit në familje, mes miqsh në një darkë, a në auditor janë të ndryshme. Kush nuk kupton këtë është një budalla i pashpresë. Nuk kam kohë të merrem me të. Tirana­haaaaale nuk mund të komunikohet me fjalë që janë të vlefshme për qytete të tjerë jashtë vendi, por jo për qytetet tona. Realizmi më kërkonte të hiqja dorë nga disa terma që quhen gjoja teknikë, shkencorë, por në fakt janë hipokritë dhe të gënjeshtërt. Edukata është bërë fatkeqësisht hipokrizi, censurë, delir. Nuk të lejon t’i quash gjërat me emrin e tyre të vërtetë. Dhe mos harroni se unë kurrë nuk ofendoj ndokënd, duke e quajtur Tiranën haaaaale, kuptojeni se ajo nuk është njeri, dhe një objekt nuk ofendohet. Unë e quaj ashtu sepse e dua, sepse jam i lidhur me të, sepse kam vite e vite, jo sot, që analizoj me sy kritik çka ndodh në të. Nuk është se flas sot sikurse kujtojnë disa që sot kanë nisur ndofta të lexojnë. Gërmoni, gërmoni se do të gjeni. Por, keni qenë pa veshë, e pa sy…”, shkruan Fuga.

Ai ndërkohë shpërthen në kritika ndaj atyre që kritikojnë dhe sulmojnë njerëzit për të heshtur dhe për të mos folur për realitetin shqiptar. “Edhe qyteti, edhe mediat, edhe arsimi, edhe shëndetësia mund të ngrihen, por nuk po shihet në horizont ai dhe ata që dinë ta bëjnë këtë gjë. Ca nëpunës servilë po marrin në qafë qeverrisjen. Halli i tyre nuk është rregullimi i gjendjes, por si ta shtyjnë sa më shumë qendrimin në poste përpara sesa t’i heqin të tyret. Aq ju bën atyre. Kur mos jenë më në post, a nuk ka rënë kolera!!! Kush flet kundra kaosit të sotëm, nuk dëgjohet, anatemohet, sulmohet nga një bandë keqbërësish idiotë të paguar me thërrime nga disa nëpunës të dorës të dytë që kanë frikë se u dazlin të palarat. Sa keq!!! Gjithësesi kush po pyet për ata të mjerë që u djeg qimja që kanë nën kësulë. Qentë le të lehin, por këta nuk dinë as si të lehin…Nisin të lehin dhe vetëm mjaullijnë. Tërheqja e vëmendjes të publikut nuk mund të bëhet sot veçse me fjalë paedukatë. Këtu ka mbritur puna. Kush është pa edukatë, ata që flasin gjuhën e realitetit, që përbuzin gjuhën hipokriote me fjalë pa kuptim, që edhe ata vetë nuk ua dinë kuptimin, apo ata që tregojnë dramën e madhe ku gjendet qytetari? Kush është pa edukatë, ai që i thotë mekanizmit me katërr rrota “vetura ime”, apo ai që e quan këtë “qerrja e vjedhur e shefit”. Ai që e quan banesën e tij “vila ime”, apo ai që i vendos emrin :

“Strofkulla e bërë me korrupsion e komshiut”??? Kush është pa edukatë, ata që i thonë qytetarit të vërtetën apo ata që qendrojnë në heshtje plot edukatë duke pritur ndonjë thërrime që t’u hedhin nga lart poshtë??? Gjuha shqipe ka hyrë në krizë, nuk ka fjalë për ta quajtur këtë realitet dhe prandaj përdor fjalë hipokrite të përkthyera. I thotë “doganë”, asaj që të tjerët e quajnë me të drejtë doganë, por që te ne prej dekadash mund të quhet “dajaku lara­lara i korrupsionit”, i thotë pra derrit dajë. Kush është pa edukatë, ai që i thotë derrit derr apo ai që i thotë derrit dajë???

SHKARKO APP