Artan Fuga shpjegon deklaratën e bujshme për vaksinën: Çipin mund ta fusnin më parë
Prof. Artan Fuga ka shpjeguar arsyet e deklaratës së tij të bujshme se do të marrë i pari vaksinën Anti-Covid. Në një bisedë me gazetarin Endri Xhafo në ABC, Fuga deklaroi se nuk i beson teorive për vaksinën pasi në rast se do të bëheshin për vendosjen e çipave, atëherë kjo do të ishte aplikuar në vaksina e tjera që përdoren masivisht nga popullsitë e ndryshme në botë.
“Që të mos pranosh vaksinë është një gjë normale. Por që pas saj të ndërtosh një teori konspiracioniste është gjë tjetër. Sociologjia është në themelin e profesionit. Unë para dy javësh kam bërë vaksinën kundër gripit. Nëse firmat farmaceutike që bëka bashkë udhëheqësit në një konspiracion të madh ka vendosur që në trupin tim të fusë çipa mund të ma bënte në vaksinën e gripit apo të tëra me radhë.
Qytetërimi jonë është i mbështetur mbi vaksinën. Po të dinë këta pse bota u modernizuar në shekullin e 20 prej vaksinave apo debatin në shekujt 18 dhe 19 për vaksinën do shikojnë se nuk është problemi i vaksinës në themel. Si është e mundur që një dorë e madhe ka në dorë pushtete dhe ruan këtë sekretin e madh të lozhave covidiane?!
Po të jetë puna për të vendosur çipa mua mund të ma vendosnin në vaksinën e gripit dhe fëmijëve në vaksinat kundër polimelitit. Nuk jam duke aventuruar që çdo lloj vaksine është e mirë dhe të shkojmë qorrazi drejt vaksinës, por por të jetë një vaksinë e certifikuar…”, tha Artan Fuga.
Masat kundër Covid
Lidhur me masat e marra nga qeveria për parandalimin e koronavirusit, Akademik Artan Fuga refuzoi të fliste nëse këto janë apo jo efikase duke theksuar se kjo nuk i përket fushës së tij. Por deklaroi se ato mund të shpreheshin më mirë. Në bisedë me gazetarin Endri Xhafo në ABC, Fuga u shpreh se ndalur te grumbullimi më shumë se 10 veta, nuk përcaktohet se çfarë ndodh kur ato bëhen në familje.
“Unë nuk jam në gjendje të them nëse këto masa ishin të domosdoshme apo jo. Por kam tendencë t’i besoj më shumë Komitetit të Ekspertëve. A mund të shpreheshim më mirë. Unë mendoj se mund të shpreheshin. Unë marr seriozisht ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë në kushte pandemie. Thuhet, ndalohen grumbullimet më shumë se 10 veta. Nëse këto grumbullime janë në familje, a do të thotë se jam i ndaluar ta bëj?! Këtu kërkohet ndarje mes hapësirës private dhe asaj publike”, u shpreh ai.
Fuga deklaroi se në rastin e aktiviteteve partiake, duhej një formulim më i përgjithshëm pasi në këtë rast funksionarët publikë mund ta quajnë grumbullimin për qëllime sociale. Ai theksoi se koha e gjatë e nisjes së fushatës si dhe hapat për formimin e qeverisë i marrin qytetarëve shqiptarë 12 muaj në çdo vit zgjedhor.
“E dyta, atje thuhet aktivitete partiake. Ky togëfjalësh lë shumë për të dëshiruar. Një parti apo një ministër mund të bëjë një mitting, por thotë se është aktivitet social. Nuk formulohen kështu këto. Më duket se është shpejt akoma për të diskutuar se çfarë do të ndodhë. Ne jemi akoma 4-5 muaj larg zgjedhjeve dhe ka filluar që përpara. Shtoi dhe nja tre muaj pas zgjedhjeve për formimin e qeverisë. Ne na ikin nja 12 muaj për qeverinë e re. Është ende shumë herët dhe kjo do të duket në muajin shkurt”, deklaroi Fuga.
/abcnews.al