Artan Fuga: Shqipërinë e gjeti pandemia me “shtet portativ”
Akademiku Artan Fuga, ka qenë i ftuar në emisionin “Në fokus”, në Tv T, ku ka folur për personalizimin ekstrem të pushtetit në Shqipëri, ku kryeministri ka në dorë çdo vendimmarrje.
Fuga tha se një gjë e tillë, vjen si pasojë e faktit se shteti shqiptar ishte kthyer në një “shtet portativ”, dhe kriza e pandemisë na kapi pikërisht në një moment mjaft të vështirë për shtetin shqiptar, të zhveshur nga të gjithë mekanizmat e kontrollit.
“Në rastin shqiptar, ky pushtet i personalizuar rritet për arsye se, ne na gjeti kjo pandemi, në kushtet e një shteti portativ. Përse? Gjykatë të Lartë nuk kishte, Parlamenti gjysmë ilegjitim, sistemi gjyqësor në ristrukturim, pushteti lokal pa legjitimitet.
Prandaj ky është mësim i madh për shqiptarët, që asnjëherë nuk duhen bërë eksperimente me shtetin.
Ti mendon, do ta zgjidh problemin e gjykatave për tre vjet, por në mes të këtyre tre vjetëve, ndodh një krizë sanitare, luftë, ndodh një tërmet, gjendje të jashtëzakonshme dhe me shtetin nuk luhet. Shtet provizor me idenë, se do ta zgjidhim, nuk ka.
Është si puna e elefantit, ose luanit, që i thua po ja pres një putër, se nuk ka gjë.
Ky shtet provizor, një shtet si një kantier ndërtimi, si një barrake në ndërtim e sipër nuk e përballon dot dhe tek ne kjo ka ndodhur.
Po të ishin të gjithë këto struktura, të ishin me tërë dinjitetin legjitimor, edhe një pushtet i personalizuar nuk do të kishte këtë lloj perceptimi nga ana e popullësisë, që këtu i ka të gjithë gjërat në dorë kryeministri.
Duhet nxjerrë një mësim shumë i madh, shtet provizor, kurrë nuk duhet të pranojmë më. Shtet në kantier nuk duhet të pranojmë kurrë”, u shpreh Fuga.