Artan Hoxha: SPAK-u dhe BKH gati për arrestim ish-kryeministra, ish-ministra dhe ministra

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka zhvilluar së fundmi një takim me 15 prokurorët e SPAK, ku ka përçuar mesazhe të rëndësishme. Kim shprehet se është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH po iu bashkohet SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Lidhur me këtë zhvillim të fundit, gazetari investigativ Artan Hoxha ka thënë në “ABC Live” se SPAK ka nën hetim dosje të bujshme. Ai ka theksuar se me krijimin dhe funksionimin e BKH, SPAK do të ketë akoma më shumë goditje. Më tej Hoxha ka thënë se është thirrur vetë në SPAK për të dëshmuar për dosje që ka dijeni dhe beson se goditjet e SPAK do të jenë të një rangu të lartë.

I pyetur nëse do të ketë arrestime të politikanëve, Hoxha ka thënë se SPAK do i duhet kohë që të fusë në burg, ish-kryeministra, ish-presidentë apo ish-ministra.

“Shtatori ka qenë me shumë zhvillime politike. Me ngjarje të tjera, apo me përjashtimin e Berishës që thithi shumë vëmendje. Por, tashmë SPAK ka marrë dhe BKH. SPAK u bë për të goditur politikanët e lartë. Dhe për të goditur korrupsionin apo për të goditur lidhje shtet-politike – krim i organizuar duhet kohë. Do shohim rezultate. Nuk është e lehtë që të futen brenda ish –kryeministria, ish-presidente, ish-ministra.” tha Hoxha.

Hoxha ka theksuar se ka parë dosje në SPAK që synojnë të godasin politikanë të rangut të lartë.

“BKH sapo ka ardhur. Ka hetime dhe jam thirrur edhe unë për këtë gjë. Në pjesë që unë kam pasur dijeni kam ndihmuar. Dhe e di që ka hetime. Në hetimet që kam parë është hetim që synon të godasë shumë lartë. Por mund të arrestojë politikanë të rëndësishëm, ish-kryeministër dhe ish-ministra. Por edhe Berisha nuk është i përjashtuar nga kjo punë. Por edhe këta që janë në detyrë nuk janë të përjashtuar. Ambasadorja po mbulohet që të mbrojë dhe të dëshmojë se prokurorët janë në rrugën e duhur. Ka hetime, dhe frika është që më mirë të mos arrestohet një politikan pa prova, sesa e arreston dhe pastaj del i pafajshëm. Ambasada ka momente që e mbështet, se japin mbështetje financiare dhe me projekte, por nuk shkon dot me listë dhe tu thotë arrestoni këto persona.” tha mes të tjerash Hoxha. /abcnews.al/

SHKARKO APP