Artan Hoxha zbardh dinamikën e arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit

Gazetari Artan Hoxha ka folur këtë të martë për dinamikën e ngjarjes së ndodhur ditën e sotme, lidhur me arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Hoxha hedh dyshime mbi ngjarjen, duke thënë se një person i tillë nuk duhej të lihej në shoqërimin e dy policëve. Nga ana tjetër, Hoxha shton se i arratisuri e ka studiuar vendin e arratisjes, duke qenë disa herë në ambientin nga i cili është larguar.

“Pavioni, në fakt, ku ka ikur Altin Ndoci, pavioni nuk ka qenë më përpara pavion infektivi, por tani është përshtatur. Ka qenë më shumë ambient izolimi, që në gjuhën e të burgosurve quhej ‘sulta’. Edhe ajo që mendoj unë që duhet hetuar është sesi është krijuar ky ambient, kush e ka lejuar, kush e ka financuar. Në vetvete, burgu i Durrësit është me liritë më të mëdha mes burgjeve shqiptare. Quhet kamp më tepër. Ai e ka studiuar atë vend aty, se ka qenë edhe më parë aty. E ka studiuar atë ambient,” -tha Hoxha.

KRONIKA E NGJARJES:

Swiss Digital Desktop Reklama

Makina që shfaqet në foton e mësipërme është një automjet tip “Audi”, me targë AB 700 RS, me të cilin dyshohet se është arratisur nga Spitali Rajonal i Durrësit Altin Ndoci.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas informacioneve paraprake, arratisja nuk ka qenë spontane, por e mirëorganizuar dhe e planifikuar në detaje. Automjeti dyshohet se ka qenë duke e pritur Ndocin në parkimin e spitalit, ndërsa targat e tij rezultojnë të vjedhura vetëm pak ditë më parë, çka përforcon dyshimet për një operacion të parapërgatitur.

Skenari i arratisjes

Ndoci ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore dhe gjatë qëndrimit ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga dy efektivë të Policisë së Burgjeve, të cilët, sipas burimeve, janë dhunuar fizikisht prej tij. Menjëherë pas kësaj, Ndoci është larguar me vrap nga ambientet e spitalit, ka hipur në automjetin tip “Audi” dhe është larguar me shpejtësi.

Dyshohet se drejtimi i largimit ka qenë zona e Spitallës, ndërsa aktualisht nuk ka ende informacion zyrtar mbi personat që kanë ndihmuar në arratisje.

I dyshuar për vrasje dhe krim të organizuar

Altin Ndoci është një emër i njohur në dosjet e SPAK, ku dyshohet për përfshirje në vrasje, grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve.

Ai është akuzuar nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani si pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë vëllai i Endrit Alibej (i njohur si “Tarzani”), xhaxhai i tij Arben Dylgjeri, si edhe një shtetas turk.

Në një tjetër dosje, Ndoci akuzohet nga SPAK si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfi dhe plagosjen e Ardit Uruçi, vepra të kryera, sipas hetimeve, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu, ndaj tij rëndojnë akuza për:

“Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, municioneve dhe lëndëve shpërthyese”

“Grup të strukturuar kriminal”, në rolin e pjesëmarrësit

Ndoci dyshohet si pjesë e grupit kriminal të njohur si “Çopja” që ka vepruar në Elbasan.

Pyetje të rënda për sigurinë

Arratisja e një personi me këtë profil kriminal nga një ambient spitalor nën ruajtje shtetërore ka ngritur pikëpyetje serioze mbi:

masat e sigurisë të Policisë së Burgjeve,

mungesën e koordinimit me Policinë e Shtetit,

dhe përgjegjësitë institucionale për një dështim të tillë.

Ndërkohë, kërkimet për kapjen e Altin Ndocit vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi personat që dyshohet se e ndihmuan në arratisje.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?