Artan Koni: Mjekët regjistrojnë vetëm këto vdekje nga Covid-19

Mjeku i njohur, Artan Koni, foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, lidhur me akuzat politike për numrin e viktimave nga koronavirusi.

Sipas mjekut Koni, denoncimi i opozitës nuk është ndaj mjekëve, por faktit se pse qeveria nuk i përmbahet udhëzimeve të OBSH për të raportuar si vdekje nga Covid-19 jo vetëm ata me tamponë pozitivë, por edhe ata me tamponë negativë, por që kanë shenjat e këtij virusi.

“Nuk besoj se janë mjekët të përfshirë në këtë skenë. Edhe denoncimi i mëshon pjesës se pse qeveria nuk i përmbahet udhëzimeve të OBSH. OBSH sugjeron që vdekje nga Covidi të quhen edhe ata nga tamponi pozitiv, por edhe ata që tamponi iu ka dalë negativë, por që ka pasur simptoma, që neve na çojnë te Covidi. Disa vende, jo vetëm Shqipëria, kanë zgjedhur të quajnë vdekje nga Covid vetëm ato me tamponë pozitivë, disa vende të tjera bëjnë si OBSH. Nëse shteti shqiptar vendos kështu, patjetër që mjekët do të regjistrojnë vetëm këto vdekje”, tha Koni.

Nga ana tjetër, anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjekja pediatre Gjeorgjina Kuli-Lito, u shpreh se “Nuk di të jetë vendim i qeverisë, por i specialistëve. Për mendimin tim edhe ata që janë pa tamponë klinikisht mund të jenë me Covid, por i takojnë një grupi tjetër. Do vijë dita që ne kur të shqyrtojmë si ka qenë ecuria e Covid në vendin tonë, ku do të futen të dyja rastet, edhe ata me tamponë pozitivë, edhe ata me shenja klinike. Numri i fataliteteve është në proporcion me numrin e shtrimeve, infektimeve”.

SHKARKO APP