Artan Lame: Ritmi i shërbimeve në Kadastër ka shënuar rritje, vjet dhamë mbi 18 mijë certifikata pronësie
Kreu i Kadastrës Artan Lame, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” të gazetarit të njohur Bashkim Hoxha, deklaroi se e njeh shumë mirë problematikën që kanë qytetarët për pronat, duke shtuar se Kadastra ka shtuar ritmin e punës.
“Është e vërtetë që qytetarët kanë vite që presin dhe thuhet sërish pse nuk po mbarohet puna. Problematika e pronës vazhdon akoma. Problemet e Kadastrës janë afatgjata, që kërkojnë muaj dhe vite. E dyta janë probleme afatshkurtra, të përditshme. Kadastra ofron 1.1 milionë shërbime në vit, janë të përditshme, ku përfshihen ata të legalizimeve e një mori problematikash. Ne kemi bërë shumë më shumë punë se qeveria paraardhëse. Janë 3 000 shërbime pa përgjigje dhe prapë është problematikë. Kemi dalë nga një batak i jashtëzakonshëm. Kemi dhënë vjet mbi 18 mijë certifikata prone. Kemi mbi 10-fishuar ritmin”, tha Lame.
Artan Lame nënvizon se institucionet shqiptare në tërësi kanë shumë probleme, që janë trashëguar.
“Deri 21 ditë ka afat për regjistrim. Afatet në tërësi respektohen. Por, në tërësi ka probleme të tjera si mbivendosja e pronës. Dokumentacioni i shumë institucione është shumë i ngatërruar. Shërbimet online, me gjithë problemet, që shumë qytetarë kanë edhe vështirësi, por llogaria personale në E-Albania është portofoli personal për çdo qytetar. Kalimi online i shërbimeve mundësoi që shteti të mos paralizohet. Kur është parashikuar që të bëhet pallat, përfiton edhe pronari i truallit. Bëhen shpronësime për interes publik, sipas dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ka regjistër të objekteve që nuk legalizohen dot, por pronësia njihet”, u shpreh Lame.
Më tej, Lame vlerësoi se në jug, problematika është më e madhe, por se po jepen edhe atje certifikatat e para të pronësisë.
“KQZ përfshiu Kadastrën tek institucionet me ndikim për publikun e kjo do të thotë se ka funksionuar. Dhëniet masive janë ndërprerë gjatë vitit të kaluar. Legalizimi i pallateve të braktisura është sukses i madh në qytete të mëdha dhe toka në fshat. Bregdeti i jugut nuk ishte regjistruar kurrë dhe prandaj na duhej shumë punë. Ne kemi nisur në dy a tre zonat e para të japim certifikata pronësie në zona jugore. Nuk ka problem që nuk ka zgjidhje, duan vetëm kohën e duhur”, deklaroi Lame.