Artan Lame shërohet nga COVID-19: Sot u ktheva në zyrë!
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame është shëruar sot nga COVID-19 një javë pas infektimit, teksa gjatë karantinës humbi dhe babain që ishte i sëmurë rëndë.
Lame thotë se sot është rikthyer në zyrën e punës teksa bashkë me të ishin dhe 24 punonjës të tjerë të shtruar në shtrat, teksa tani që u kthe janë 36.
Ai ka një mesazh për nëpunësit e shtetit shqiptar duke thënë se secili prej tyre ka vendin e tij në llogoren e luftës. Lame garanton se Kadastra ka vijuar punën noirmalisht dhe shërbimi nuk është ndërprerë për asnjë ditë.
STATUSI NGA KADASTRA
LLOGORJA JONË
Unë sot dola nga karantina e kovidit. Kur unë u diagnostikova me këtë punë, shkruan gazetat. “Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës me kovid!”, “Lame zë shtratin me kovid!” Ndoshta normale kjo, se helbete, goxha direktor!.
Por bashkë me mua, ato ditë ishin në shtrat edhe 24 punonjës të tjerë të Kadastrës. Për ta nuk shkroi njeri, veç të afërmve të tyre.
Sot që unë u ktheva në zyrë, janë në shtrat 36 punonjës dhe çdo ditë bien të tjerë. As për ta nuk shkruan njeri, se janë njerëz të zakonshëm, specialistë kokëulur.
Më lejoni të shkruaj unë dy fjalë për ta.
Kjo është luftë. Secili prej nëpunësve të shtetit shqiptar ka vendin e tij në llogoren e gjatë të kësaj Lufte.
Me gjithë këta “të rënë” në krye të detyrës, Kadastra vijon të punojë normalisht. Janë kolegët e tavolinës ngjitur, që vijojnë punën e kolegut që ka zënë shtratin. Dhe shërbimi nuk është ndërprerë për asnjë ditë, as për qytetarët, as për institucionet, as për procesin e rindërtimit, as për legalizimet, duke pritur secili në postin e tij që … t’i vijë radha e … krevatit.
Ej çuna dhe goca, ju që ende jeni në detyrë “Punë të mbarë!”; dhe ju që kini zënë shtratin “Shërim të shpejtë!” dhe sa më pak dhimbje!
AL.