Artikull mbi problemet e gjuhësisë prej Prof. Dr. David Luka
Nga Prof. Dr. David Luka, 2002
Në prill të vitit 1992, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i dërgonte Katedrës së Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” një shkresë të firmosur nga drejtori i tij, Jorgo Bulo, ku vihej në dijeni se do të përkujtohej 20-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit. Në platformën, që pasonte shkresën, shkruhej “Në nëntor 1992 mbushen 20 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili sanksionoi kurorëzimin e procesit të njësimit të gjuhës letrare kombëtare…”.
Kjo platformë, ashtu siç qemë mësuar, tingëllonte si direktivë partie. Pra, gjuhëtarët do të mblidheshin jo për të shpalosur mendimet e tyre, po thjesht për të glorifikuar vendimet e Kongresit. Nisma e Institutit për këtë tubim nuk qe rastësi. Sepse, me fillimet demokratike në Shqipëri, qe shtruar për diskutim edhe problemi i gjuhës letrare kombëtare. Çështjet që shtroheshin për diskutim mund të përmblidhen në tri pika: A qe shkencërisht e drejtë zgjidhja e Kongresit të Drejtshkrimit? Cili qe roli i partisë-shtet dhe personalisht i Enver Hoxhës në këtë proces? Cila do të ishte e ardhmja e gjuhës letrare kombëtare?
Problemi i parë duhej të diskutohej detyrimisht, sepse në Kongresin e vitit 1972, qe arritur në përfundimin se “gjuha letrare kombëtare shqipe është formuar e po përfundon kristalizimin e saj si një koine letrare sui generis, e cila ngërthen në strukturën e saj elementet themelore të përbashkëta të shqipes dhe elemente të rëndësishme dalluese të të dy dialekteve” 1). Gjuha letrare kombëtare tani do të vështrohej si “mbidialektore” 2). Po të ishte kështu, gjithçka do të përligjej. Mirëpo, siç do të pohohej më vonë, baza dialektore e kësaj shqipeje standard, na dilte toskërishtja letrare. Për herë të parë ky fakt u vu në dukje në veprën e Xhenet Bajron (1976) 3), ku thuhej qartë se “Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standard”, pohim që kundërshtohet prerazi nga A. Kostallari se “Në këtë vepër … formimi i shqipes letrare të njësuar trajtohet në mënyrë të thjeshtëzuar e të shtrembëruar” 4).Në këtë situatë, kur për të njëjtin proces shpreheshin mendime krejtësisht të kundërta, diskutimi se cila qe baza dialektore i kësaj shqipeje standard bëhej imperative. Kjo shprehet qartë në intervistën që Anastas Dodi i jep gazetës “Java” të Prishtinës. I pyetur nga gazetari: Pse në Kongres nuk u tha që baza e gjuhës letrare shqipe, që po fiksohej aty, është dialekti toskë?; Dodi përgjigjet: Më kujtohet që kjo punë u bisedua, dhe ne i bëmë vërejtje atij referatit të Kostallarit, edhe i thamë se duhet të thuhet që dialekti bazë është toskërishtja, që vihet në bazën e gjuhës letrare. Por, u tha se kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa të sjellë ndonjë dobi 5). Në qoftë se në këtë intervistë nuk ka ndonjë lajthitje a ndonjë lapsus, del krejt e qartë se këtu nuk bëhet më fjalë për shkencë gjuhësore, por për politikë demagogjike.
Problemi i dytë (për rolin e partisë-shtet e të Enver Hoxhës në këtë proces), nuk shtrohej as për mllef e as kot së koti. Me të drejtë E. Sedaj 6) rithekson 7) se pikëpamjet e A. Kostallarit më 1972 qenë të njëjta me ato të Enver Hoxhës, të paraqitura 17 vjet më parë më 1955. Problemi i tretë, cila do të ishte e ardhmja e gjuhës letrare, duhej diskutuar doemos, sepse kishte të bënte kryesisht me ndalimin që i qe bërë gegërishtes letrare pas vitit 1972. Çdo të bëhej, pra, me këtë gegërishte, me të cilën qe shkruar gjysma e letërsisë shqipe e që vazhdonte të shkruhej në diasporë nga përfaqësues të mëdhenj e të denjë të kulturës shqiptare si M. Camaj, etj.
Në qoftë se sot, pas dhjetë vjetësh, mjaft gjëra janë sqaruar, më 1992 shumë prej tyre shtroheshin për zgjidhje. Kjo ishte një ndër arsyet që përligjte një tubim gjuhëtarësh. Po ajo që e bënte të domosdoshëm këtë tubim qe përjashtimi që po i bëhej këtyre gjuhëtarëve nga veprimtaritë zyrtare të kohës, vetëm sepse nuk mendonin njëlloj me direktivën e platformës, bile edhe po e kundërshtonin atë. Më 24 korrik 1992 Muzeu Historik i Rrethit, në bashkëpunim me Katedrën e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës organizuan Tryezën e rrumbullakët me temë “Probleme të gjuhës letrare kombëtare”. Veprimtaria u zhvillua në sallën e ligjëratave të Muzeut.
Për të formuar një ide të qartë për këtë tubim të stërpërfolur mbarë e mbrapsht, po sjell këtu Platformën e diskutimit shkencor për problemet e gjuhës letrare kombëtare në tryezën e rrumbullakët, e cila i bashkangjitej ftesës për pjesëmarrje në këtë veprimtari 9). Aty shënoheshin edhe çështjet që do të diskutoheshin:
1. Një ndër tiparet kryesore të gjuhës shqipe, duke u nisur që nga autorët e vjetër, veçanërisht te Bogdani, në periudhën e Rilindjes e në vazhdim (Komisia Letrare e Shkodrës, 1917) ka qenë konvergjenca gjuhësore, e cila ka pasur si mbështetje gjithnjë konvergjencën kombëtare ekonomiko-shoqërore, politike e kulturore. Në këtë kuadër, si duhet trajtuar Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe?
2. Për metodën e punës së përdorur në njësimin e gjuhës shqipe në Kongres thuhet: “Nënsistemet e gjuhës letrare, të para në terësinë e tyre komplekse, na lejojnë të arrijmë në përfundimin se gjuha letrare shqipe është formuar e po përfundon kristalizimiun e saj si një koine letrare sui generis, e cila ngërthen në strukturën e saj elementet themelore të përbashkëta të shqipes me elemente të rëndësishme të të dy dialekteve …”. Ç’mund të thuhet për këtë përfundim?
3. Si mund të mendohet e ardhmja e gjuhës letrare kombëtare?
Si duhen vlerësuar tri mendimet, që qarkullojnë në sferat intelektuale:
a. Të prishet ajo që është vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit; gjithsecili të shkruajë sipas dëshirës?
b. Të vazhdohet si deri tani?
c. Të ruhet gjuha letrare kombëtare e njësuar. Ndërkaq, mënyra se si është vepruar për këtë njësim, mund dhe duhet të rishikohet. Është fjala për ta pasuruar këtë njësim, për ta bërë më elastik dhe më të pranueshëm për të gjithë. Krahas të shkruhet pa asnjë kufizim gegërishtja latrare.
Në tubimin e Shkodrës, përveç gjuhëtarëve shkodranë, morën pjesë edhe tre gjuhëtarë të ftuar nga Instituti i Gjuhësisë (B. Beci, S. Mansaku e E. Lafe). I ftuar qe edhe prof. A. Pipa, që ndodhej në Shkodër rastësisht. Ky tubim zgjati pa ndërprerje plot gjashtë orë. Në fund u lexua një Deklaratë, që më vonë u botua në dy gazetat lokale të Shkodrës 10). Për këtë Deklaratë është folur e shkruar shumë, po gjithsesi a priori, sepse autorët e këtyre shkrimeve nuk e kanë njohur as tekstin origjinal të botuar, as historinë e hartimit të saj.
Në Tryezën e rrumbullakët të Shkodrës u përfaqësuan dy rryma, duke shprehur këta dy palë mendime. Të parët kërkonin mosnjohjen e Kongresit dhe të vendimeve të tij. Të dytët e pranonin atë, po kërkonin që të zhvillohej debat e diskutim për ta përmirësuar e për ta bërë të pranueshëm nga të gjithë. Deklarata, për të cilën po flasim, paraqet tani sintezën e të dy rrymave. U vendos që palët tani e mbrapa, mund t’i shprehnin mendimet e tyre në mënyrë të veçuar, personale, po jo më në emrin e gjuhëtarëve të Shkodrës. Kjo gjendje paraqitej e qartë në pikën e tretë të Platformës së dhënë më lart.
Meqë Deklarata nuk u lejua të lexohej në konferencën “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot” (nëntor 1992), atëherë u mendua që kumtesa që unë do të mbaja në këtë Konferencë, të paraqiste Deklaratën e mësipërme. Po meqë kumtesa në të ardhmen do të botohej në emrin tim, unë paraqita aty variantin e parë të kësaj Deklarate, që përfaqësonte mendimet e rrymës së moderuar të gjuhëtarëve të Shkodrës. Duke krahasuar tani Deklaratën me kumtesën time, mund të nxirren edhe përfundimet përkatëse. Duke shtuar këtu edhe këmbënguljen time për ta shkruar Deklaratën në gjuhën letrare të njësuar, bëhet krejt e qartë që gjuhëtarët e Shkodrës po kërkonin vetëm debat e diskutim, asgjë më tepër.
Sulmi frontal, që nisi kundër kësaj Deklarate, qe botimi i saj në revistën “Albanica” 11). Prof. A. Pipa, s’di sepse, e ktheu tekstin e Deklaratës në gegërishte dhe në disa vende e ndryshoi atë. Dhe prapë, s’di sepse e pa më pyetur e pa më marrë leje, në krye të 420 nënshkruesve të saj, vuri emrin tim. Ky veprim i pamatur i prof. Pipës solli tërë ato ngatërresa, që tashmë njihen.
* * *
Dhjetë vjet pas Deklaratës së gjuhëtarëve të Shkodrës, që po kërkonin vetëm debat e diskutim për gjuhën letrare kombëtare dhe për vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, nevoja për rivlerësime 12) dhe për dialog shkencor 13), është bërë e pranishme brenda e jashtë vendi. Mirëpo, gjuhësia zyrtare, që vazhdon politikën gjuhësore të partisë, mban tash tridhjetë vjet të njëjtin qëndrim. Pashallarët e kuq vazhdojnë të mos lejojnë asnjë debat e diskutim, duke zbatuar haptas politikën e përjashtimit. Njëri prej tyre, që mbart mbi vete remineshenca latente të së kaluarës, së cilës i përket i tëri, është shprehur qartë se “Gjuha letrare shqipe dhe drejtshkrimi i saj e përballuan me sukses një ‘tërmet’ në fillim të viteve ’90 dhe po i përballojnë edhe disa pasgoditje me energji të dobësuar” 14). Në këtë shprehje nuk merret vesh: a qe tërmeti i dobët, apo ndërtesa e fortë?
Në referatin e mbajtur në Konferencën shkencore jubilare me rastin e 25-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (organizuar në Tiranë më 12 dhjetor 1997) thuhet: “Në ditët tona njësia e gjuhës letrare kombëtare ka ndërtuar shtetin e njësishëm kulturor të popullit shqiptar në mbarë hapësirën e tij historike 15). Tani, fjala shtet në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980 shpjegohet kështu: “Organizatë politike e klasës sunduese të një vendi, e cila ka për qëllim të mbrojë interesat e kësaj klase dhe rendit ekzistues, nga klasat dhe forcat kundërshtare brenda vendit dhe nga armiqtë e jashtëm” 16). Ky koncept për këtë lloj shteti kulturor shpaloset qartë në të gjithë referatin. Krizën e sotme për zbatimin e normës letrare, referuesit e shpjegojnë me ripolitizimin e çështjes së gjuhës letrare, me shfaqjen e mendësisë anakronike të atyre që “s’paskan harruar asgjë e s’paskan mësuar asgjë” 17)!
Shqetësimet, që paskan lindur në këto vite, për të ardhmen e gjuhës letrare na qenkan një pjesë e tronditjeve dhe zigzageve në fushën e kulturës, që qenkemi të detyruar të paguajmë si çmim për të hyrë në rrugën e re të lirisë së mendimit, por edhe të triumfit të arsyes. Dhe, si të mos mjaftonte ligjërata e mësipërme, shembull ideal për të shpjeguar paradoksin, na vjen një tjetër thënie lapidare: “Mbyllja dhe izolimi i gjatë patën konservuar te disa elementë mendësinë e së shkuarës dhe mungesën e frymës emancipuese, rrethanat e reja ushqyen te dikush tjetër herostratizmin e adhamutizmin” 18).
Për të gjykuar tani për “frymën emancipuese” (siç !) të autorit të mësipërm, po ju sjell vetëm një fragment të vogël nga artikulli i tij, botuar në revistën “Studime filologjike” më 1985. Në mbyllje të këtij shkrimi prej 6 faqesh thuhet qartë e shkoqur: “Mësimet dhe idetë e pavdekshme të shokut Enver Hoxha për gjuhën tonë amtare … shembulli i shkëlqyer i veprës së tij do të na udhëheqin kurdoherë në studimet tona shkencore e në të gjithë veprimtaritë praktike…” 19).
Tani gjykoni vetë se kush është Adhamudhi!
* * *
Bëhet e qartë tani se në tubimin që do të organizohet me rastin e 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, janë marrë të gjitha masat që të mos ketë më goditje termeti. Sepse, “Nuk don pasha kallabllëk”!
Referencë:
1) Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe I, Tiranë, 1973, f. 88.
2) Po aty, f. 79 v. A. Kostallari, Mbi disa drejtime të përsosjes së sistemit e të strukturës së gjuhës sonë letrare, SF 2, 1982, f. 7. A. Kostallari, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, SF 4, 1984, f. 38/1 (skema).
3) Janet L. Byron, Selection among Alternates in Language Standardization: The Case of Albanian, The Hague-Paris, 1976. Këtë fakt do ta pranonte edhe Xh. Lloshi, gjatë polemikës me A. Pipën, në artikullin Kultura shqiptare përpara shqetësimeve të reja, botuar në rev. socialiste “Sot”, nr. 5-6, 1991, f. 21 v. Edhe në konferencën kombëtare “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot” (Tiranë, nëntor, 1992) u pohua haptas se baza e gjuhës letrare shqipe ka qenë toskërishtja letrare.
4) A. Kostallari, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, në rev. “Studime filologjike”, nr. 4, 1984, f. 28.
5) Gazeta “Java”, Prishtinë, nr. 2, 15 dhjetor 2001, f. 29.
6) E. Sedaj, Baza argumentuese e polemikave aktuale për gjuhën e njësuar, në rev. “Phoenix”, nr. 3-6, Shkodër, 2000, f. 149.
7) Në artikullin Enver Hoxha dhe shkencat filologike shqiptare (shkruar nga A. Kostallari e J. Bulo dhe botuar në rev. “Studime filologjike”, nr. 4, 1988) thuhet qartë: “… që në Kongresin III të PPSH ai (Enver Hoxha, sh. im) përcaktoi për gjuhësinë tonë një program pune afatgjatë, që i hapi asaj perspektiva të qarta për gjithë periudhën e Pasçlirimit.” (f. 3). Ndërkaq, A. Dodi (në artikullin Disa probleme të gjuhës letrare në veprën e Enver Hoxhës, botuar po në të njëjtën revistë, f. 45), shprehet edhe më qartë: Që më 15 qershor 1955 shoku Enver Hoxha me një qartësi shumë të madhe thotë se “gjuha e sotme letrare shqipe nuk është toskërishtja e ngritur drejtpërsëdrejti në gjuhë kombëtare, por është ndërtuar mbi bazën e elementit të përbashkët të shqipes, duke thithur njëkohësisht në përpjesëtime të ndryshme, edhe elemente të veçanta të rëndësishme nga struktura fonetike, gramatikore e leksikore të të dy dialekteve”. Ky fakt, që mënjanohet sot nga gjuhësia zyrtare shqiptare, është vënë në dukje nga ne që në vitin 1993, në simpoziumin “Martin Camaj – tradita dhe bashkëkohësia”, në referatin me titull Përse ithtarët e Kongresit të Drejtshkrimit nuk e pranojnë debatin shkencor?, botuar në vëllimin “Martin Camaj – tradita dhe bashkëkohësia”, Shkodër, 1994 (f. 29).
Për sa më sipër, shiko artikullin tonë E vërteta mbi konferencën shkencore “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, botuar në rev. “Kumtari” 6, organ i Muzeut Historik të Shkodrës, Shkodër, 1993.
9) Në këtë Platformë pasqyrohej: “Pjesëmarrja: gjuhëtarë të Katedrës së Gjuhës Shqipe të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe të ftuar të tjerë. Auditori: gjuhëtarë, mësues gjuhe dhe intelektualë të interesuar për problemin në fjalë. Koha: 3-5 minuta për çdo përgjigje. Koha e përgjithshme rreth 2 (dy) orë. Shënim: diskutimi do të drejtohet nga një gjuhëtar.”
10) Gazeta “Shkodra” (6 gusht 1992) dhe gazeta “Besa”. Gjithashtu edhe në një gazetë me emrin “Libertas” (vjeshtë, 1992).
11) Albanuica, nr. 3-4, 1992, f. 121 v.
12) R. Ismajli, Nuk kam përgjigje të prerë se a veproi Kongresi shkencërisht a jo …, në gazetën “Java”, Prishtinë, nr. 3, 1 kallnor, 2002, f. 26. Aty thuhet shkoqur: “Unë mendoj se gjëja e parë që do bërë me qëllim të pasurimit të shqipes është së pari të dëgjojmë mirë njëri-tjetrin, t’i dëgjojmë shprehjet e të folurit në të gjitha anët, t’i identifikojmë ato pika ku na duket se ka probleme dhe pastaj drejtshkrimi ynë dhe zgjidhjet ekzistuese na bëjnë të mundshme që të ketë zgjerime. Unë nuk kujtoj se është mëkat të bëhen kompromise në këto raste …”. Shiko edhe Rolf Ködderitzch (R. Këderiç, Për një gjuhë letrare kombëtare shqipe, në rev. “Hylli i dritës”, nr. 1-2, Tiranë, 1996 (veçanërisht në f.
13) E. Sedaj, Baza …, po aty, f. 155.
14) E. Lafe, Ndihmesa e prof. Mahir Domit për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, në rev. “Studime filologjike”, nr. 3-4, 2001, f. 45.
15) I. Ajeti, E. Lafe, Njëzet e pesë vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit (Vlerësime dhe vështrime në të ardhmen), SF 1-2, 1998, f. 20.
16) Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, f. 1925.
17) Njëzet e pesë vjet …, po aty, f. 14.
18) Po aty, f. 11.
19) E. Lafe, Shoku Enver Hoxha për pasurimin dhe pastërtinë e gjuhës shqipe, SF 2, 1985, f. 148.