Artur Bardhi: Pse kam përdorur 4 emra

Kryetari i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi, i cilëson të turpshme akuzat e Partisë Demokratike në drejtim të tij në lidhje me formularin e dekriminalizimit. Në një intervistë për “Panorama”, kryebashkiaku i Kurbinit deklaron se emrat e shënuar në formularin e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë përdorur prej tij në kohën kur ka qenë ende fëmijë.

Sipas Bardhit, bëhet fjalë për vitet 1992-1993, kur si emigrant në Itali është ndaluar disa herë nga policia italiane për çështje dokumentacioni dhe ka dhënë identitete të rreme.

Kreu i Bashkisë së Kurbinit shprehet se historia e tij është e njëjtë me atë të shumë shqiptarëve që kanë emigruar në vitet 90’, kur për mungesë të dokumentacionit janë detyruar të jepnin emra të rremë për të mos u kthyer në Shqipëri.

KQZ-ja ka publikuar dy ditë më parë formularët e dekriminalizimit për të zgjedhurit vendorë. Si qëndron e vërteta e gjeneraliteteve që ju keni deklaruar se keni mbajtur më parë?

Unë nuk marr dot përsipër atë që PD-ja kërkon të më implikojë me patjetër. Është e pamundur që unë të jem i dënuar në Itali apo në Gjermani sepse duan ata. Unë ato emra që kam plotësuar në formular janë pa dokumentet përkatëse. Unë kam qenë 18 vjeç kur i kam dhënë ato emra, jam ndaluar si të gjithë shqiptarët në Europë. Kam dhënë ato emra. Më kanë kapur sërish pas 2 apo 3 muajsh, më kanë thënë si e ke emrin edhe i kam dhënë një tjetër emër sepse, nëse do të më kapnin, do të më kthenin në Shqipëri.

Pas publikimit të formularit tuaj të dekriminalizimit, PD-ja ka reaguar zyrtarisht lidhur me të dhënat që ju keni dhënë për çështjen e ndryshimit të emrit. Si i keni pritur komentet?

PD-ja po e keqpërdor, por nuk dëshiroj të merrem shumë me ta. Janë gjëra të lodhshme, të pavërteta dhe të turpshme. Unë nuk mund të deklarohem i dënuar sepse kështu kërkon Partia Demokratike. Kam qenë 18 vjeç, kam qenë një fëmijë kur jam ndaluar në tren. Bëhet fjalë për vitet 1992-1993, nuk kishim dokumente dhe jepnim emra të ndryshëm dhe më pas na sillnin në Shqipëri. Dokumentet përkatëse nuk i kishim. Bëhet fjalë për ndalime në shtetin italian.

SHKARKO APP