As avokatët e as Xhafaj nuk dëgjohen, drejt miratimit harta e re gjyqësore

Nga: Redjon Shtylla

Harta e re gjyqësore, vijon që të jetë një temë që përplas drejtësinë dhe politikën, por mbi të gjitha protagonistë në këtë çështje janë avokatët, të cilët nesër dalin në një PROTESTË. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar një hartë me 12 Gjykata rrethesh dhe vetëm me një Gjykatë Apeli, por nuk mbështet nga avokatët dhe nga opozita.

Ish-ministri i Brendshëm, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, i pranishëm sot në Komisionin e Ligjeve, tha se kjo skemë është e gabuar. Për të duhet të dëgjohet fillimisht KLGJ, më pas Ministria e Drejtësisë dhe në fund grupet e interesit. Ideja e tij u mbështet nga opozita, por jo nga kryetarja e komisionit. Klotilda Bushak e refuzoi Xhafajn dhe ja dha fjalën Dhomës së Avokatisë.

Maksim Haxhia tha se asnjë nga argumentet e KLGJ nuk qëndron, pasi me këtë hartë nuk vete shërbimi te qytetari. “Ne këtë hartë nuk vete shërbimi plotësisht tek qytetari, por i largon më shumë. Me këtë hartë do fillojë vetëgjyqësia, hakmarrja, dhuna në familje. Se një grua që dhunohet në Frashër të Përmetit, sa të vejë 6 orë të bëjë denoncimin i ka ikur dhe inati dhe presion i ka bërë kryefamiljari”, tha ai.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë, me pak fjalë nuk kanë ndërmend që të bëjnë asnjë hap pas, edhe pse avokatët e Shqipërisë, opozita dhe deputeti socialist janë kundër.

Kryetarja e KLGJ-së, Llagami u shpreh se ky është qëndrimi final, duke e bërë të qartë se harta nuk ndryshon. “Materiali iu propozua mbledhjes plenare ky është qëndrimi përfundimtar i KLGJ që ia çoi Ministrisë së Drejtësisë”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e mbështeti fort këtë hartë, duke dhënë sinjale se qeveria do e miratojë pavarësisht protestave të avokatëve. Pra vendi do të ketë një Gjykatë Apeli, dhe ku nuk dihet se për ca vite mund ti vijë rradha një qytetari. Shqipëria është një vend që problemet me drejtësinë i ka të vjetra, dhe besueshmëria është e pakët. Reforma në Drejtësi këtë herë prodhon një ngërç, e jo një zgjidhje.

SHKARKO APP